Deputetët debatojnë sot për veprimet e Qeverisë ndaj Projektit të Gazit

Deputetët debatojnë sot për veprimet e Qeverisë ndaj Projektit të Gazit

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë plenare. Seanca do të fillojë në orën 10:00, derisa në rend dite janë 36 pika, raporton Gazeta “Enigma”.

Një prej pikave të rendit të ditës është edhe debati paralmentar në lidhje me veprimet e Qeverisë për Projektin e Gazit me MCC’në.

“Debat parlamentar në lidhje me veprimet e Qeverisë për alternativat e diversifikimit të energjisë dhe veçanërisht Projektin e Gazit me MCC”, është pika e tretë e rendit të ditës.

Ndryshe, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30 shtator se Qeveria e Kosovës nuk do të vazhdojë tutje me projektin për kyçjen e Kosovës në gazsjellësin ekzistues në Maqedoninë e Veriut, projekt ky i përkrahur nga MCC-ja amerikane.

Rizvanolli ka thënë se kanë nevojë për më shumë informacione rreth projektit të gazsjellësit për të ditur nëse është projekt adekuat për tranzicionin energjetik të Kosovës.

 “Përballë afateve kohore të MCC ne kemi vendosur të ecim tutje dhe të shfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e kompaktit, për investime me risk më të ulët por që ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekomomik dhe zhvillim të sektorit privat”, kishte thënë ajo në një konferencë për media.

Pas këtij njoftimi të Rizvanollit, kishte reguar Lidhja Demokratike e Kosovës. LDK’ja kishte thënë se me këtë vendim, Kosova i refuzoi edhe 200 milionë dollarë që Biden i kishte konfirmuar si grant-fonde për Republikën e Koosvës, derisa e ka quajtur paranoizëm të pashpjegueshëm politik krahasimin me gazin rus.

“Sot, Qeveria e Kosovës refuzoi projektin më gjeostrategjik amerikan në Ballkan, atë të gazpërçuesit, që do t’i siguronte shtetit tonë furnizim me gaz e së këndejmi dhe tranzicionin e nevojshëm energjetik”, shkruhet në reagim. Përveç se, në paranoizmin e pashpjegueshëm politik, e cilësoi të njëjtin si “gaz rus”, me këtë vendim, Kosova i refuzoi dhe 200 milionë dollarë, që Presidenti Biden, kohë më parë i kishte konfirmuar si grant – fonde falë – për Republikën e Kosovës dhe projektin në fjalë”, thuhet tutje në komunikatë.

LDK’ja e kishte quajtur hap të gabuar strategjik këtë vendim dhe veprim të pakuptueshëm për interesat shqiptare në rajon.

“Një hap i gabuar strategjik. Një veprim i pakuptueshëm për interesat shqiptare në rajon. Një humbje financiare dyqind milionëshe në një vend pa zhvillim. E pakuptimtë, e dëmshme, e papranueshme. Përkushtimi i Kosovës në projekte strategjike amerikane nuk duhet të ketë hezitim. Ecja jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë e përbashkët në politikë, ekonomi, siguri e energjetikë”, thuhej në komunikatën e kësaj partie.

Për refuzimin e këtij projekti, kishte reaguar edhe Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj. Ai e kishte quajtur këtë si veprim të rrezikshëm kundër interesave të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Po iu pyes Kryeministër Kurti: Gjatë vizitës suaj të gjatë në Greqi, a e keni takuar ndonjërin nga përfaqësuesit e Gazpromit rus dhe a është kjo arsyeja e refuzimit të projektit të gazsjellësit amerikan!?

Refuzimi i projektit të gazsjellësit amerikan është një veprim i rrezikshëm kundër interesave të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, kishte shkruar Haradinaj në Facebook.

Edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi kishte reaguar për këtë çështje.

Miftaraj përmes një postimi në Facebook kishte shkruar se nuk pritet diçka më mirë nga një qeveri e përbërë nga, siç i quan ai, praktikantët dhe amaterët.

 Tutje ai shtoi se qeveria Kurti mendon se shteti mbahet me propagandë dhe me fjalë të bukura.

“Qeveria refuzon projektin e gazit.Nuk pritet diçka më mirë prej nje qeverie e perbere prej praktikanteve dhe amaterave! Qeveri qe mendon se me propagande dhe fjale te bukura qeveriset dhe mbahet shteti”, kishte shkruar Miftaraj.

Ndryshe, për një projekt të tillë ditë më parë ka folur presidentja, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se sa i përket aspektit gjeopolitik dhe gjeostrategjik një projekt i tillë nuk duhet të refuzohet. /Gazeta Enigma.

Related Articles