Kuvendi i Kosovës ka miratuar dy marrëveshje ndërkombëtare të mbetura nga seanca e kaluar, me ndihmën e votave të opozitës. Për marrëveshjet e tretë, po vazhdon diskutimi.
Marrëveshja e parë që u miratua ishte ajo për njohjen e kualifikimeve profesionale për infermier, kirurg veterinar, farmacist dhe mami në kontekstin e Marrëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës Qendrore.
Këtë projektligj e prezantoi Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Vitia tha se kjo marrëveshje mundëson qytetarëve të Kosovës që të ushtrojnë në shtetin pritës, të njëjtin profesion për të cilin janë kualifikuar në shtetin amë.
“Kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve që në shtetin pritës të ushtrojnë të njëjtin profesion për të cilin janë kualiifikuar në shtetin amë dhe të realizojnë këtë në kushte jo më të pavaforshme se sa qytetarët në shtetin pritës”, deklaroi Vitia.
Në momentin e votimit, në sallë ishin 95 deputetë.
“Vetëm dy nuk votuan. Me 93 vota për, asnjë votë kundër asnjë abstenim. Kuvendi e miratoi këtë marrëveshje ndërkombëtare”, deklaroi Kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Projektligji tjetër ishte ai për për ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (“Marrëveshja”) – neni 1, që u prezantua nga Ministri Hekuran Murati.
“Më saktësisht, cfarë bëhet këtu është një dakordim i arritur në kuadër të Bordit të BERZH i cili ka parapa që dy nene të ndryshohen në mënyrë që të bëhety zgjerimi i aktivitetit të BERZH edhe në disa shtete të Afrikës Sub-sahariane dhe poashtu që t’i jepet mundësia Bordit drejtues që t’i përcaktojë limitet e kapitalit në mënyrë që kjo të krijojë fleksibilitet më të madh”, sqaroi Murati.