Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Demush Krasniqi tha se ka porosi nga miqtë dhe shokët e tij që t’i përshëndeste krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Kur e kam marrë ftesën për të ardhur këtu e për të dëshmuar si i ish-UÇK-së kam pas shumë mysafirë, me kanë përcjellë shumë veteranë e në mesin e tyre kisha edhe të fshatrave përreth dhe porosia e tyre ishte që unë personalisht t’i përshëndes krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe deputetin Rexhep Selimin. Ma dhanë këtë porosi miqtë, shokët që unë këtë ta përcjelli dhe se di a mund ta përcjelli ashtu siç me kanë porositur”, tha dëshmitari Krasniqi.
Më pas, lidhur me këtë prokurori pyeti dëshmitarin se kush ishin këta miqtë që e porositën në këtë lloj mënyre. Dëshmitari tha që ata që e përcjellën për të ardhur në Hagë.
Tutje, prokurori pyeti se a iu kujtohen emrat e atyre personave që ia dhanë këtë porosi si dhe a i thanë atij se çfarë duhet të dëshmojë.
“Ishin miq të mi. Ishte dëshira ime që ta përcjelli këtë mesazh”, tha dëshmitari duke shtuar se ai vetë e kishte bërë publike që do të shkonte në Hagë.
Me kaq përfunduan pyetjet e prokurorit për dëshmitarin, mirëpo përpara kësaj, atij iu prezantua një dokument në të cilin ishte emri i tij ku shkruhej ‘Vërejtje për shkak të mungesave’.
“E kisha familjen në Malet e Turjakës. E kisha nënën, gruan dhe gjashtë fëmijë në male dhe ne nganjëherë u detyrohesha të shkoj t’i vizitojë se a kanë ushqim dhe si po jetojnë aty. Nganjëherë vonohesha për t’u kthyer tek shokët e me siguri ka qenë kjo vërejtje e imja. Isha më i vjetri në njësitë dhe për të qenë të ndërgjegjshëm të tjerët e t’i respektojnë rregullat më jepnin mua vërejtje si Demush Laci ta merrni vërejtje që është vonuar e nuk ka ardhur me kohë”, tha dëshmitari Krasniqi.
Dëshmitari tha se atij i ka mbetur nofka ‘Demush Laci’ për arsye se në fshatin e tij ishin edhe tre Demusha të tjerë.
Ai tha se nuk e din se kur është krijuar Qeveria e përkohshme por që e din se një gjë e tillë kishte ndodhur.