Për 1 muaj, që kur ka filluar realizimi i Planit për Vaksinim të Qytetarëve në Masë, Kosova nuk ka arritur të vaksinojë as një të tretën e qytetarëve që parasheh ky plan, për vaksinim brenda 1 muaji. Edhe më tutje, MSH-ja nuk po e bën të qartë nëse numri që po e paraqet për vaksinime pasqyron numrin e qytetarëve të vaksinuar, apo numrin e vaksinave të dhëna.
Sot janë bërë 1 muaj që nga fillimi i realizimit të Planit të Veprimit për Vaksinim të Qytetarëve në Masë me vaksinën kundër COVID-19. Që nga 15 qershori, në vend nuk janë arritur të vaksinohen as gjysma e asaj që e parasheh ky plan.
Kosova ka të vaksinuar rreth 12 për qind të popullsisë. Deri tash, janë dhënë 293 mijë 693 vaksina. Prej tyre, 83 mijë e 630 janë dhënë si doza të dyta, sipas përllogaritjeve të nxjerra prej raporteve ditore të MSH-së.
Dokumenti nga Plani për vaksinimin masiv
Pra, më pak se 120 mijë persona nga 15 qershori i muajit të kaluar e deri më sot kanë arritur të vaksinohen kundër COVID-19 me dozën e parë të vaksinës.
Deri më 15 qershor, numri i vaksinave të dhëna në vend ishte 102 mijë e 598. Deri në këtë ditë, 11 mijë e 19 persona kishin marrë edhe dozën e dytë të vaksinës.
Foto e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë më 15 qershor
Përshkrimi që MSH e ka bërë për të dhënat e 15 qershorit
Ndërsa, në statistikat e publikuara sot nga Ministria e Shëndetësisë, thuhet se numri i vaksinave të dhëna deri tani është 293 mijë e 693. 83 mijë e 630 vaksina janë dhënë për personat që kanë marrë dozën e parë të vaksinës.
15 korrik 2021 – Në grafikën në të cilën paraqet raportin ditor, MSH-ja shkruan se janë të vaksinuar 293.693
15 korrik 2021 – Në përshkrimin e raportit ditor, MSH-ja shkruan se janë dhënë 293.693 doza të vaksinës
Që i bie se nga fillimi i realizimit të planit për vaksinim në masë e deri më sot, 191 mijë e 95 vaksina kundër COVID-19 janë dhënë në Kosovë.
72 mijë e 611 vaksina janë dhënë te personat që kanë qenë të vaksinuar me dozën e parë të vaksinës gjatë kësaj kohe.
Ndërsa, plani për vaksinim në masë parasheh që brenda një muaji të vaksinohen rreth 500 mijë qytetarë.
Në këtë plan thuhet se vaksinimi në masë do të ndikojë në zvogëlimin e përhapjes së infeksionit dhe kontrollimit të pandemisë.
“Rezultat i këtij plani është realizimi i vaksinimit në masë deri në 500.000 qytetarë brenda muajit me vaksinën kundër COVID-19. Procesi i vaksinimit në masë do të ndikoj në zvogëlimin e përhapjes së infeksionit dhe kontrollin e pandemisë si dhe funksionalizimin e aktiviteteve shoqërore, që për synim kanë rikthimin në normalitet”, parashihet në plan.
Derisa numër dukshëm më i vogël i qytetarëve kanë arritur të marrin vaksinën kundër COVID-19, nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë pranuar të përgjigjen e të japin informacione në pyetjet e gazetës lidhur me numrin e të vaksinuarve.
Ndërsa, njohës të shëndetësisë e deputetë të Kuvendit të Kosovës e kanë kritikuar këtë ministri për mosvaksinimin e një numri të madh të popullsisë.
Kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla ka thënë për Express se procesi i vaksinimit në Kosovë është dështim.
Ai ka thënë se qytetarët po aplikojnë në platformën online e-Kosova, por nuk po thirren për t’u vaksinuar.
“Deri sot vaksinimi është dështim. Se pse është dështim, këtë më mirë le ta shohin politikanët. Unë i kam 3 raste në familje që kanë aplikuara para 2-3 jave por nuk i thërrasin për vaksinim”, ka thënë ai.
Ndërsa, Syla është shprehur i shqetësuar që tashmë edhe punëtorët shëndetësorë të cilët që më shumë se 1 vit janë në vijën e parë të frontit me pandeminë, janë të lodhur.
E për këtë, ai ka thënë se ata as që po vlerësohen nga qeveria.
Ndërsa, edhe anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi nga radhët e AAK’së, Shemsedin Dreshaj ka thënë se procesi i vaksinimit po shkon shumë ngadalë në vend.
Ai ka deklaruar se shqetësuese është edhe që numri i të vaksinuarve është i vogël në kohën kur ekziston rreziku i një vale të re të COVID-19/.
“Vaksinimi është i ngadalshëm. Është shqetësuese për mua sepse ekziston rreziku i valës pasuese të COVID’it dhe me numrin aktual të të vaksinuarve nuk ofrojmë siguri të mjaftueshme për qytetarët e vendit”, ka shtuar ai.
Kosova vazhdon të qëndrojë larg shteteve tjera sa i përket vaksinimit të popullsisë./Gazeta Enigma/