Në Kuvend ka dështuar të miratohet mocioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës për shkarkimin e bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca njoftoi se 22 deputetë votuan për shkarkimin, 53 ishin kundër dhe asnjë nuk abstenoi.
Paraprakisht pati pak debat. Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se bordi i ZRRE-së nuk ka vepruar siç duhet në procesin e shtrenjtimit të tarifave të rrymës.
“Qytetarët e vendit janë duke e paguar këtë papërgjegjësi”, tha ai, duke kërkuar shkarkimin dhe emërimin e “një bordi të pavarur nga ndikimet politike”.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, tha se ky bord “do të duhej të shkarkohej moti”. Për shkeljet ligjore që tha se i ka bërë ky bord, ai tha se anëtarët “do të duhej moralisht të tërhiqeshin vetë”.
Kundër shkarkimit të bordit të ZRRE-së ishte Lëvizja Vetëvendosje. Kryetarja e grupit më të madh parlamentar, Mimoza Kusari e quajti të paarsyeshëm mocionin e LDK-së.
“Përveçse nuk e ka pasë arsyetimin e bindshëm, ka shpërputhje dhe mangësi të plotë me dispozitat ligjore”, tha ajo.
Mocionin e mbështeti edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.