Kuvendi i Kosovës nuk i ka miratuar sot masat e emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilat do të vlenin maksimalisht 60 ditë.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se nuk kanë kuorum.
“Vetëm 55 deputetë kanë votu”, tha ai.
Votimi u bojkotua nga deputetët e Listës Serbe.
Qeveria e Kosovës më 24 dhjetor vendosi masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilat do të vlejnë maksimalisht 60 ditë.
Qeveria do të mund të fillonte me zbatimin e masave menjëherë, porsa vendimi të miratohej nga Kuvendi i Kosovës në afat prej shtatë ditësh.
Kuvendi ka të drejtën e refuzimit të masave dhe në këtë rast Qeveria është e obliguar t’i ndërpresë ato.
Masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë: vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët, dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.
Kosova po përballet me krizë energjetike. Për pasojë, qytetarët që nga 22 dhjetori po përballën me reduktime të rrymës./Gazeta “Enigma”/