Dështon zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit në Rahovec

Dështon zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit në Rahovec

Kuvendi Komunal i Rahovecit nuk ka arritur të zgjedh kryesuesin, pasi Lëvizja Vetëvendosje e Partia Demokratike e Kosovës kanë lëshuar seancën.

Fillimisht në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për kryesues është propozuar Afrim Dina. Kurse, LDK, PDK dhe VV nuk kanë propozuar asnjë kandidatë.

Më pas në emër të LDK-së, Burim Krasniqi tha se kjo parti nuk do të qëndrojë deri në fund në sallë për ta zgjedhur kryesuesin, pasi nuk mund të funksionojë një asamble pa ndonjë marrëveshje me subjektet tjera.

“Tentohet të nënçmohet skajshmërish asambleja komunale. Nuk e di si mendohet me funksionu një asamble ku në seancën e parë është e ofenduar ku tentohet me zgjedh kryesuesin pa asnjë lloj marrëveshje me një parti politike apo çfarëdo formati që garanton numrin në asamble komunale”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se nuk është faj i tij që partitë tjera nuk propozojnë kandidatë. Ai tha se opozita nuk duhet të bëjë punën e saj qysh në seancën e parë.

“Çudia më e madhe është pse nuk keni kandidat. Kjo është brengosëse për subjektet që nuk duan të propozojnë kandidatë të vet. Propozoni një dhe ja unë po iu ndihmojë, edhe ashtu keni mbajt plot takime të përbashkëta, është demokraci“, tha ai.

Ndërkohë, përfaqësues të VV-së dhe PDK-së lëshuan sallën e Kuvendit dhe seanca përfundoi në mungesë të kuorumit. /Gazeta Enigma.

Related Articles