Tetë policë kanë mbetur të lënduar në një aksident që ndodhi mbrëmë në veri të Kosovës, ku një autoblindë ka dalë jashtë rrugës në fshatin Grabovc, shkruan Enigma.
Pas ngjarjes, të lënduarit janë dërguar në Spitalin e Mitrovicës për trajtim.
Pas ekzaminimeve mjekësore, pesë prej tyre janë liruar për në shtëpi, ndërsa tre të tjerë janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim të mëtejshëm.
Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci, ka konfirmuar se njëri nga policët ka pësuar një frakturë të brinjëve, por gjendja e tij është stabile.
“Një polic është pranu tek ne. Është me frakturë të brinjve. Gjendja e tij është stabile për momentin”, ka thënë Kolgeci.
Për gjendjen e policit që është transferuar në Ortopedi, ka folur Mjeku kujdestar, Doktor Ermiri, i cili i ka tha se gjendja e policit që është i shtrirë në këtë klinikë është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Ai ka bërë me dije se ai ka patur thyerje të kërcirit të djathtë dhe se mbrëmë është kryer intervenimi ku i është vendosur pllakë.
“Po, ju njoftojmë se dje rreth orës 10:00 në mbrëmje është sjellë nje polic 27-vjecar, ku ka patur thyerje te kërcirit të djathtë dhe menjëherë nga ekipi kujdestar i ortopedisë është kryer intervenimi operativ ku është vendosur pllakë, momentalisht gjendja e tij është stabile dhe nuk ka rrezik për jetë”, ka deklaruar ai.
Pavarësisht disa thashethemeve për transferimin e njërit nga policët në Klinikën e Neurokirurgjisë, Drejtori i kësaj klinike, Besnik Elshani, ka mohuar informacionet, duke thënë se nuk ka asnjë të shtruar në këtë klinikë.
Aksidenti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:00 në fshatin Grabovc. Dyshimet janë se automjeti ka rrëshqitur dhe se ka dalë jashtë rrugës.