Detaje të reja për arrestimin e serbëve në Gjakovë dhe Prizren

Detaje të reja për arrestimin e serbëve në Gjakovë dhe Prizren

Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla është deklaruar pas kapjes së 16 personave në Gjakovë dhe Prizren, të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë.

Sveçla thotë se struktura e të ndaluarve ishte e kombinuar, ku katër prej tyre rezultuan të jenë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë, transmeton Gazeta Enigma.

Sipas të dhënave fillestare, ministri në detyrë thotë se dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës.

“Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën: fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sopatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, personat janë ndaluar në kohëzgjatje 48 orëshe”, deklaron ai përmes një postimi në Facebook.

“Grupi i dytë, me 12 persona, është ndaluar në Prizren, teksa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë. Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe”.

Sveçla tutje thotë se hetimet paraprake kanë konfirmuar se një zyrtar i policisë serbe me gradë të togerit policor, ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojeviq, nofka “Gandi”. Ky i fundit është i afërt i Vladimir Radivojeviq, nofka “Mami”, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku. Zyrtari tjetër ushtarak, i cili bartë gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanoviq, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe.

“Fakti që u strehuan në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë mund të tregojë për një tentativë për të shfrytëzuar institucione fetare për kamuflim ose për të shkaktuar tensione ndëretnike/fetare në Kosovë, duke përdorur ngjarje të sajuara për të nxitur reagime të dhunshme ose trazira. Organet e sigurisë do të vazhdojnë hetimet dhe do të informojnë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme”.

“Ftojmë qytetarët që të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë dhe të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet tona të sigurisë”, bën thirrje Sveçla /Gazeta Enigma

Related Articles