Dhuna ndaj grave nuk ndalet – 6 raste të raportuara brenda 24 orëve

Dhuna ndaj grave nuk ndalet – 6 raste të raportuara brenda 24 orëve

Brenda një periudhe 24-orëshe janë raportuar gjashtë raste të dhunës ndaj grave në qytete të ndryshme të Kosovës – Lipjan, Obiliq, Ferizaj, Klinë, Istog dhe Zubin-Potok.

Në shumicën e rasteve, dhuna është ushtruar nga bashkëshortët ose ish-bashkëshortët e viktimave.

Sipas raportit të Policisë, në Lipjan është arrestuar një burrë pasi kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij pas një mosmarrëveshjeje. Viktima nuk ka pranuar ndihmë mjekësore, ndërsa i dyshuari është dërguar në vuajtje të dënimit për shkak të një urdhërese të mëhershme të gjykatës.

Në Obiliq, një tjetër burrë u arrestua pasi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është ndaluar me vendim të prokurorit.

Në Ferizaj, një grua raportoi se ish-bashkëshorti i saj i kishte dërguar mesazhe kërcënuese. Ai u arrestua dhe u dërgua në mbajtje.

Në Klinë, një burrë u shoqërua nga policia nën dyshimin për dhunë të vazhdueshme psikike dhe fizike ndaj bashkëshortes. Pas intervistimit, palët u liruan në procedurë të rregullt.

Një rast i ngjashëm ndodhi edhe në Istog, ku një burrë i dehur dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor dhe i dyshuari u dërgua në mbajtje.

Rasti i fundit u raportua në Zubin-Potok, ku një grua u sulmua fizikisht nga bashkëshorti i saj. Viktima nuk kërkoi ndihmë mjekësore dhe deri më tani nuk është raportuar për arrestime.

Policia e Kosovës ka njoftuar se të gjitha rastet janë duke u trajtuar dhe hetimet janë në vazhdim.

Related Articles