Dhuna në familje po vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga burrat, djemtë, vëllezërit e anëtarët e tjerë të familjes.
Një rast i tillë ka ndodhur të dielën në Vitomiricë të Pejës, ku një person ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe motrës së tij.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur në orët e mbrëmjes, kur i dyshuari J.G., fillimisht e ka sulmuar gruan e tij, e më pas edhe motrën, duke iu shkaktuar shqetësim e frikë.
Sinjali mëson se gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshje mes tyre, që eskaloi nga dhuna psikike në dhunë fizike, për çka viktimat u detyruan që të kërkojnë ndihmën e Policisë, duke e raportuar rastin.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka intervenuar për ta kapur të dyshuarin, por i njëjti akoma nuk është hasur, pasi ka ikur nga shtëpia e tij.
Ndaj të dyshuarit, i cili është emër i njohur për organet e rendit, Prokurori ka urdhëruar inicimin e rastit dhe ndërmarrjen e veprimeve hetimore për të siguruar prezencën e tij.