Një rast i rëndë dyshohet se ka ndodhur në territorin e Ferizajt, ku një i mitur dyshohet të jetë dhunuar, ndërsa Policia e Kosovës ka nisur hetime intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më datë 15 dhjetor 2025, rreth orës 11:00, stacioni policor në Fushë Kosovë ka pranuar informacion lidhur me një rast të dyshuar të abuzimit seksual ndaj një të mituri.
Reporteri merr vesh se i dyshuari për rastin është një 17-vjeçar nga Ferizaj dhe se rasti është raportuar nga shkolla ku vijon mësimet 13-vjeçari nga Fushë Kosova.
Ky është njoftimi i plotë i Policisë:
Më datë 15.12.2025, rreth orës 11:00, policia e stacionit policor në Fushë Kosovë, ka pranuar informacionin lidhur me një rast të dyshuar të abuzimit ndaj një të mituri.
Dyshimet e ngritura sugjerojnë se i mituri është kontaktuar përmes rrjeteve sociale dhe se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur diku në territorin e Ferizajt.
Specialist të policisë për hetimin e rasteve të tilla, në bashkëpunim me institucionet relevante, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, gjithnjë duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e viktimës, policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Dhunimi”, përderisa po punohet intensivisht në identifikimin e të dyshuarit dhe përcaktimin e vendndodhjes së tij.
