Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla ka thënë se dialogu është i bllokuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili sipas saj nuk është i interesuar për një zgjidhje të qëndrueshme të problemit, sepse dialogu mund të jetë i suksesshëm vetëm kur të dyja palët duan rezultate.
Gërvalla, e cila mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare në Dubrovnik, për gazetën kroate Veçernji, e pyetur nëse pret vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, thotë se është Serbia, gjegjësisht presidenti i saj Aleksandar Vuçiq që po e bllokon dialogun.
“Javën e kaluar ne patëm një takim në Bruksel në mes të kryeministrit tonë Albin Kurti dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe të sigurisë. Mirëpo, doli të jetë e pamundur për ndonjë marrëveshje sepse ai dialog është i bllokuar nga Aleksandar Vuçiq, i cili duket se nuk është i interesuar për një zgjidhje të qëndrueshme të çështjeve tona dypalëshe. Ky është thelbi i problemit sepse dialogu mund të jetë i suksesshëm vetëm kur të dyja palët duan rezultate. Nëse pala tjetër as që mendon të arrijë rezultate, si Aleksandar Vuçiq, atëherë koha e investuar është e humbur”, tha Gërvalla.
Ajo shton se Kosova mbetet plotësisht e përkushtuar për të përmbushur atë që është rënë dakord në Bruksel, por jo në mënyrë të njëanshme.
“Ne mund të vazhdojmë me zbatimin sapo Vuçiq të heqë bllokadën dhe të fillojë të sillet në mënyrë konstruktive. Në fakt, ai është krahu politik i presidentit rus Vladimir Putin në Ballkan dhe Rusia po teston vendosmërinë e Perëndimit përmes përfaqësuesit të saj, Serbisë. Kur Serbia sulmoi Kosovën në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, ishte testi i parë serioz i Rusisë për Perëndimin, pasi ishte sulmi i parë ushtarak në një vend ku kishte mijëra ushtarë të NATO-s”, shtoi Gërvalla.
Ajo thotë se ishte një provë serioze për Perëndimin dhe se reagimi i BE-së në raport me NATO-n ka munguar.
“Nuk bëhej fjalë vetëm për Kosovën, e cila është vendi më properëndimor, me më shumë se 90 për qind mbështetje për NATO-n dhe BE-në në çdo sondazh. Cili ishte reagimi i NATO-s dhe BE-së? Ishte një ndryshim i madh. Përgjigja e NATO-s ishte e menjëhershme dhe e qartë, me një rritje të ndjeshme të numrit të ushtarëve dhe patrullime më intensive për të siguruar kufirin tonë me Serbinë. Bashkimi Evropian mbetet i paqartë në reagimin e tij. Shpresojmë që kjo të ndryshojë me strategjinë e re dhe personelin e ri në Bruksel”, thotë Gërvalla.