Diskriminimet e komuniteteve RAE qasje të përditshmërisë apo të izoluara?

Diskriminimet e komuniteteve RAE qasje të përditshmërisë apo të izoluara?

Me arsyetimin se kinse tavolina është e rezervuar, disa prej pjestarëve të komuniteteve RAE iu mohua shërbimi në një prej kafiterive në Gjakovë dhe përveç kësaj një familje rome u sulmua fizikisht në një prej qendrave tregtare në Prizren, me arsyetimin se nuk e kishte të vendosur maskën, shkruan Gazeta Enigma.

Derisa, në lidhje me rastin e sulmit brutal që iu bë një familje rome në Prizren, Erxhan Galushi përfaqësues në Grupin e Minoriteteve dhe njiherit anëtar i Komisionit për Legjislacion, ka thënë për Gazetën “Enigma” se trajtimi i familjes nga institucionet shëndetësore lë shumë për të dëshiruar.

“U shokova me videon që e pash në rrjete sociale, edhe pse fillimisht nuk e kam ditur se për kend bëhet fjalë dhe me tronditi fakti se një sigurim i një qendre tregtare ka guxim ta merr ligjin në dorë dhe ta sulmoj një familje të tërë. Por, pastaj kur u informova, e ndjejë obligim të hulumtoj për rastin dhe bashkë me zëvendësministrin shkuam në Prizren në Polici që të informohemi lidhur me ngjarjen, mirëpo, përveç kësaj shkuam edhe te familja e cila ishte sulmuar”, ka thënë Galushi.

Ai bëri të ditur se vajza 11-vjeçare e cila ka shkuar për të marr ekzaminim mjekësor është anashkaluar, sepse sipas tij këtu vërehet diskriminimi ndaj kësaj familje dhe në përgjithësi të komuniteteve RAE.

Galushi tha se për këto diskriminime të dyfishta duhet bërë thirrje duke filluar nga presidentja e Kosovës, kryeministri e tutje që të reagojnë në lidhje me rastin dhe poashtu t’u bëhet thirrje edhe organeve të Ministrisë së Drejtësisë.

“Ka arsyeje të ndryshme të diskriminimit në fjalë, por jo deri në këtë nivel. Ka raste të izoluara, mirëpo në qoftëse këto raste nuk raportohen, nuk marrin trajtim të duhur instuticional, atëherë mund të kalojnë në raste të përditshmërisë”, ka thënë Galushi.

Sa i përket rastit në Gjakovë, sipas Arian Vranicës, nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ka shpërfaqur një problem më të madh në vend dhe, sipas tij, kjo nuk vlen vetëm për bizneset e gastronomisë.

Ai shton se çështja e diskriminimit etnik nuk mund të përzihet me rregullat e brendshme që mund t’i vendosë një lokal në lidhje me klientët.

Ndërsa, sociolgu Blerim Shabani, ka thënë për Gazetën “Enigma” se Ligjet e Kosovës janë të hartuara në atë formë që nuk ka frymë të diskriminimit.

Shabani theksoi se sa i përket aspektit të zbatimit praktik për trajtimin e barabartë të komuniteteve RAE, sipas tij si shoqëri çalojm.

“Në masë të madhe ka nivele të shoqërisë që bëjnë përpjekje t’i japin shance dhe mundësi komuniteteve në fjalë, por është edhe një pjesë tjetër që i kanë paragjykimet, qasjen diskrimunuese”, ka theksuar ai, duke potencuar se si komunitet janë larg arritjes së standardit për qasje në shkollim, në udhëtim e edhe në trajtim të barabartë.

“Çdo tendencë për përbuzje, për diskriminim duhet me u denu fuqishëm secili llojë i kësaj tentative të çdo individi apo edhe grupi. Pra, duhet t’i trajtojmë të gjithë barabartë sepse është fundamentale që realizimi i të drejtave të njeriut janë vlera të pa diskutueshme në shoqërinë tonë”, ka shtuar Shabani.

Ai shtoi se duhet promovuar rëndësia e krijimit dhe qasja e barabartë sepse Ligji dhe Kushtetuta e garanton. Pra, sipas tij duhet krijuar rrethana dhe mekanizma për të monitoruar zbatimin në praktik, poashtu është e rëndësishme edhe promovimi i edukimit akademike të komuniteteve.

“Me i zbatu politikat sepse politikat tona që janë karshi politikave arsimore, shëndetësore kur zbatohen ka tendenca të favorizimit ose disfavorizimit”, ka theksuar ai.

Ndryshe, në vitin 2015, në Kosovë ka hyrë në fuqi versioni aktual i Ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi.

Ky ligj mbulon disa lloje të diskriminimeve, ndërsa diskriminimi i drejtpërdrejtë përkufizohet në rastet kur “një person trajtohet në mënyrë më pak të favorshme se një person tjetër, në një situatë të krahasueshme”. /Gazeta Enigma/.

Related Articles