Sot do të publikohet draft-raportin vjetor për situatën në Kosovë dhe progresin e saj drejt BE-së, i cili do të paraqitet sot në një seancë të Komisionit të Politikës së Jashtme të PE-së.
Ky draft-raport vlerëson përkushtimin e Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian, ndërsa thekson se e ardhmja e Kosovës është në BE dhe se përpjekjet për ta nxjerrë vendin nga një zonë gri, janë në interes edhe të Kosovës, edhe të BE-së.
Në këtë draft-raport mbështetet, gjithashtu, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE dhe ftohen vendet anëtare, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë pa vonesa të tjera.
Dokumenti, të cilin Terras e shkroi pas konsultimeve me partnerët dhe duke marrë parasysh gjetjet e Komisionit Evropian, nënvizon “progresin domethënës në fushën e drejtësisë, të sigurisë dhe lirive, të luftës kundër krimit të organizuar dhe të funksionimit të ekonomisë së tregut”, por shpreh keqardhje për përparimin e limituar në sundimin e ligjit.
Në këtë draft-raport kërkohet edhe një herë nga BE-ja që t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat i ndërmori në qershor të vitit 2023, për shkak të tensioneve në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe.
Ato përfshijnë ngrirjen e disa fondeve të BE-së dhe pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me zyrtarët kosovarë.
“Bëjmë thirrje për heqjen e menjëhershme të masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat nuk janë më të arsyeshme dhe janë në kontradiktë me përkushtimin e dëshmuar të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe me përshtatjen e saj me politikat e BE-së”, thuhet në dokument.
Parlamenti Evropian mbështet edhe kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin për t’iu bashkuar programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s. / Gazeta Enigma.