Distria Krasniqi synon medaljen e artë në Tbilisi

Distria Krasniqi synon medaljen e artë në Tbilisi

Kampione në fuqi dhe bartëse e parë, Distria Krasniqi do të garojë të enjten në Tbilisi të Gjeorgjisë, në ditën hapëse të Kampionatit Evropian të xhudos për vitin 2026. Ajo hyn në këtë garë si favoritja kryesore në kategorinë deri në 52 kilogramë, një kategori ku Kosova ka dominuar për më shumë se një dekadë.

Distria është gjithashtu xhudistja më e renditur në këtë Evropian dhe një nga sportistet më të suksesshme në këtë disiplinë, përfshirë edhe statusin e kampiones olimpike. Në kampionatet evropiane ajo ka fituar medalje të arta në vitet 2021, 2024 dhe 2025, të argjendta në 2018 dhe 2023, si dhe të bronzta në 2020 dhe 2022.

Në këtë kategori do të garojnë gjithsej 24 xhudiste, ku ndër rivalet kryesore për medaljen e artë llogariten Reka Pupp dhe Roza Gyertyas nga Hungaria, Odette Giuffrida nga Italia dhe Amandine Buchard nga Franca. Megjithatë, Krasniqi mbetet pretendente kryesore për vendin e parë.

Forma e saj është mbresëlënëse, pasi ka fituar medalje në 15 garat e fundit, shpesh duke arritur në finale. Do të ishte një surprizë e madhe nëse ajo nuk arrin të ngjitet në podium në këtë Evropian.

Në ditën e parë të garave do të zhvillohen edhe kategoritë deri në 48 kilogramë për femra, si dhe deri në 60 dhe 66 kilogramë për meshkuj.

Kosovën në kategorinë deri në 48 kilogramë do ta përfaqësojë Erza Muminoviq, e cila është rikthyer pas një pauze dhe, edhe pse nuk është bartëse, ka treguar progres në garat e fundit. Një vend në tetëshen më të mirë do të konsiderohej sukses i madh për të.

Në kategorinë deri në 52 kilogramë garon edhe Fatjona Kasapi, e cila po rikthehet pas një lëndimi të gjatë. Edhe pse nuk është bartëse, paraqitja e saj në Grand Slamin e Parisit, ku zuri vendin e shtatë, jep sinjale pozitive për formën e saj.

Të premten do të garojnë Laura Fazliu në kategorinë deri në 63 kilogramë dhe Akil Gjakova së bashku me Dardan Cena në kategorinë deri në 73 kilogramë.

Laura është bartësja e katërt dhe synon medalje, ndërsa konkurrenca në kategorinë deri në 73 kilogramë është jashtëzakonisht e fortë, me gjithsej 41 garues. Akili, si bartës i pestë, do të përballet me emra të njohur ndërkombëtarë.

Në këtë Kampionat Evropian marrin pjesë 402 xhudistë nga 46 shtete, duke e bërë një nga ngjarjet më të mëdha të këtij sporti në kontinent.

Related Articles