E diela, “Dita D” për 21 komuna, cilat ishin premtimet kryesore të kandidatëve për kryetar?

E diela, “Dita D” për 21 komuna, cilat ishin premtimet kryesore të kandidatëve për kryetar?

12 nëntori shënon ditën e fundit të fushatës elektorale për raundin e dytë të zgjedhjeve, të cilat do t’i përcaktojnë kryetarët e ri në 21 komuna të Kosovës, shkruan Gazeta Enigma.

Raundi i dytë i zgjedhjeve ndërmjet dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme, mbahet më 14 nëntor.

LEXO EDHE: 21 Komuna në balotazh, KQZ-ja jep detaje për zgjedhjet e 14 nëntorit

Ndërsa, një ditë para zgjedhjeve, nuk lejohet shpalosja e programit e as thirrjet për t’i votuar, në të kundërtën do të pasojnë gjobat për thyerje të heshtjes zgjedhore.

Në zgjedhjet lokale të raundit të parë, si parti e parë doli të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës, derisa edhe lideri i kësaj parti, Lumir Abdixhiku tha se rikthimi si partia e parë në zgjedhje lokale është rikujtim se angazhimi i tyre i vërtet dhe i drejt merr gjithherë mbështetje qytetare.

Kjo parti mori 170 mijë e 177 vota në këto zgjedhje.

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje mori 167 mijë e 519 vota.

Kurse, Partia Demokratike e Kosovës mori pesë komuna, derisa kryetari i kësaj partie tha se edhe në komunat ku janë në balotazh si në Prizren, Drenas, Vushtrri , Klinë e të tjera do ta fitojnë garën në raundin e dytë.

“PDK në këto zgjedhje lokale ka shënuar rezultat të jashtëzakonshëm. Qytetarët u bashkuan për të mbajtur e për rikthyer qeverisje të mira në komunat e Kosovës me PDK-në. PDK ka qenë e fortë dhe mbetet e fortë dhe do të bëhet edhe më e fortë”, tha Krasniqi.

Edhe, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se subjekti që ai drejton, doli më i fortë në zgjedhjet e 17 tetorit.

”Në takim me kryetarët e degëve të Aleancës, analizuam rezultatin zgjedhor dhe përgatitjet për raundin e dytë. AAK doli shumë më e fortë nga zgjedhjet e 17 tetorit. Angazhimi ynë drejt fitoreve të reja vazhdon”, ka shkruar ai. 

Pse u anuluan zgjedhjet në Han të Elezit?

“Procesi i votimit do të përsëritet vetëm për kryetar komune, për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit të mbështetjeve të votuesve”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Kryetari i kësaj komune, Rufki Suma, pati thënë për Gazetën “Enigma” se ky ishte vendim i drejtë dhe i bazuar në ligj.

LEXO EDHE: Anulimi i zgjedhjeve në Han të Elezit, Suma për Gazetën “Enigma”: Vendim i drejtë dhe i bazuar në ligj

Premtimet me bollëk të kandidatëve për kryetarë të komunave në Kosovë

Prishtinë

Kandidatët në garën për ta drejtuar kryeqytetin janë fokusuar në premtime që përfshijnë ndërtimin e parqeve, parkingjeve, përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe funksionalizimin e spitalit të qytetit. Po ashtu, janë premtuar edhe një sërë investimesh në fushën e sportit.

Prizren

Furnizim të pandërprerë me ujë të pijes, rregullimi i shtratit të Lumbardhit, investime në infrastrukturë rrugore dhe përmirësimi i shërbimeve shëndetësore, janë disa prej premtimeve që kanë dhënë kandidatët për kreun e Prizrenit.

Pejë

Në Pejë, kandidatët po ashtu kanë premtuar investime në infrastrukturë, qendër të re shëndetësore, pastrimin e Lumbardhit, skema për punësimin e të rinjve, e subvencione për pagat e punëtorëve të bizneseve të vogla e të mesme.

Gjakovë

Në Gjakovë u premtuan investime në infrastrukturë, vende të reja punës, përmirësim në shëndetësi e ekonomi, ndihmë për bujqit e qendra rinore dhe fuqizim të shkollave profesionale.

Mitrovicë e Jugut

Në Mitrovicën e Jugut fokusi është dhënë po ashtu në infrastrukturën rrugore qe lidh fshatrat e komunës, investime në shëndetësi dhe punësime, ndihmë për fermerët, përmirësim i transportit publik, rregullimi i lumenjve, dhe mbështetje e të rinjve.

Gjilan

Në Gjilan në anën tjetër janë premtuar parkingje të reja, investime në infrastrukturë të qytetit, në shëndetësi, ekonomi, e arsim.

Ferizaj

Fokusi i premtimeve edhe në Ferizaj mbetet te investimet në infrastrukturë e shëndetësi, përmirësimi i shërbimeve publike dhe ndërtimi i spitalit të ri dhe i një Qendre të re të Mjekësisë Familjare.

Ndërsa, sot PZAP ka shqiptuar gjobë në shumë prej 2,100.00 euro ndaj LVV-së për shkak të vendosjes se materialit zgjedhore në hapësira publike.

Ndryshe, raundi i dytë i zgjedhjeve mbahet në komunat: Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamush dhe Kllokot.

Kurse, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, u patën akredituar rreth 25 mijë vëzhgues,mbi tre mijë policë, 35 gjyqtarë dhe 80 prokurorë në mbrojtje të votës. Derisa, mbi 90 mijë fletëvotime janë shpallur të pavlefshme nga raundi i parë.

Vlen të theksohet, se përderisa po bëhet thirrje nga institucionet për vaksinim dhe mbrojtje të përhapjes së virusit COVID, KQZ në këto zgjedhje i ka lejuar personat e pavaksinuar të votojnë.

/Gazeta Enigma/.

Related Articles