Dita e Forcës, Kurti: FSK-ja do t’u sigurojë brezave të rinj një të ardhme në paqe

Dita e Forcës, Kurti: FSK-ja do t’u sigurojë brezave të rinj një të ardhme në paqe

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka uruar “Ditën e Forcës” nga kazerma “Adem Jashari”, ku ka folur për rëndësinë e kësaj dite për popullin e Kosovës, si dhe për investimet e bëra në FSK dhe armatimin modern me të cilin po pajiset ushtria.

Në fjalën e tij, Kurti tha se brezat e rinj po rriten më të sigurt falë ushtrisë së Kosovës, duke përkujtuar sakrificën e dëshmorëve, me theks të veçantë kryekomandantin Adem Jashari.

“Është ditë e lumtur e gëzuar për të gjithë ne për shkak se me Forcën e Sigurisë së Kosovës, me këtë ushtri të pajisur kaq të mirë e gjithnjë e më shumë, brezat e rinj do të jenë të sigurt të jetojnë në paqe, të zhvillohen dhe të lulëzojnë. Në njërën anë e kemi sakrificën e dëshmorëve të kombit, mbi të gjitha kryekomandantin Adem Jashari dhe familjen Jashari, pastaj veteranët dhe invalidët e UÇK-së, e në anën tjetër i kemi gjithë këta fëmijë që kanë ardhur ta shohin ushtrinë e tyre, që njëherësh ua ngroh zemrat dhe i bën të ndihen mirë për të ardhmen e tyre dhe për mbarë qytetarët dhe familjet në Kosovë”, tha Kurti.

Ai shtoi se FSK më herët ka qenë shumë pak e pajisur me armatim, ndërsa tani janë realizuar investime të mëdha.

“Mbi 430 milionë euro është investimi në armatim dhe pajisje në këto katër vitet e fundit. Më përpara ushtria jonë ka pasur vetëm automatiku të llojit … dhe revolve, që do të thotë ka qenë më pak e pajisur se Policia e Kosovës. Ndërkaq tani është e pajisur me teknologji moderne dhe sa vjen e shtohet, meqenëse tash kemi dyfishim të çizmeve në tokë të ushtarëve tanë dhe gjithashtu të syve në qiell, për shkak se e kemi pajisur ushtrinë me drona, e do ta kemi së shpejti edhe fabrikën e municionit dhe prodhimit të dronëve “Made in Kosova””, tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit në detyrë falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tjerë që po e mbështesin Kosovën në armatim dhe trajnime.

“Në veçanti duhet theksuar edhe sistemin antitank ‘Javelin’ nga SHBA dhe jemi në proces të marrjes së helikopterëve Black Hawk, dhe ky është momenti që duhet t’i falënderojmë aleatët tanë, NATO-n, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që na qëndrojnë pranë edhe në pajisje, armatim e municion, por edhe me trajnime. Janë katërfishuar trajnimet jashtë vendit, është trefishuar buxheti për mbrojtje dhe siguri dhe ky është një obligim që ia kemi mbrojtjes së atdheut tonë”, përfundoi Kurti.

Related Articles