Dita e të rinjve, Kurti: Nëse të rinjtë po largohen prej vendit, jam i sigurt se lidhjen me atdheun e kemi të pazgjidhshme

Dita e të rinjve, Kurti: Nëse të rinjtë po largohen prej vendit, jam i sigurt se lidhjen me atdheun e kemi të pazgjidhshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, ka marrë pjesë në seancën e organizuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nga Grupi i Deputetëve të Rinj, në shënim të kësaj dite.

Para të rinjve dhe deputetëve të pranishëm në sallë, Kurti ka thënë se qëllimi i këtij takimi është i qartë: marrëdhënia e politikave publike dhe ekonomike me një brez, me rininë.

“Dhe kur bëhet fjalë për këtë relacion mes politikës dhe rinisë, duhet të mbajmë në mendje gjithnjë katër gjëra:  E para, masa rinore në çdo vend është masa më e madhe energjike dhe krijuese; E dyta, në vendin tonë përkundër shumë shteteve të tjera perëndimore e në veçanti evropiane, rinia është masa më e madhe njerëzore, mosha mesatare në Kosovë është 30 vjeç e 2/3 janë nën 35 vjeç; Që rinia është pjesë e popullsisë që do të vuante gabimet, dështimet dhe vonesat tona; dhe e katërta, që rinia do të shohë gjysmë shekulli pas nesh, fatet dhe gjendjen e njerëzimit dhe të botës”.

Tutje, është shprehur se në programin e Qeverisë Kurti rëndësi e veçantë i është kushtuar efikasitetit të sistemit dual.

“Kush më mirë se ne, me një popullsi kaq të re e kaq të madhe mund të përmbushë kriteret e një sistemi të tillë. Në bazë të zhvillimit qëndron pikërisht sistemi dual. Lidhja e arsimit me ekonominë”, ka thënë kryeministri.

“Lidhja e arsimimit profesional me tregun e punës. Nëse ka një gjë që është më e rëndësishme edhe se ekonomia edhe se arsimi kam përshtypjen që është lidhja midis këtyre të dyjave. Pra lidhja e arsimit me punësimin apo ura që mundëson, që diploma nga shkolla apo fakulteti sjell edhe vend pune në ekonominë e Kosovës”, ka shtuar ai.

Kreu i ekzekutivit ka deklaruar se “nëse të rinjtë tanë po largohen prej vendit, jam i sigurt se ne si shoqëri, lidhjen me atdheun megjithatë e kemi të pazgjidhshme”.

“Prandaj uroj dhe besoj se lidhja me talentin duhet të jetë po aq e pazgjidhshme sa edhe lidhja me atdheun. Sepse njeriu ka dy atdhe, vendin kolektiv të trashëgimisë, por edhe një atdhe të së ardhmes, talentin si vend individual të trashëgimisë”. 

Related Articles