Trajneri Ismet Munishi është i bindur se me Prishtinën do të bëjë revolucion, jo vetëm në klub, por edhe në futbollin e Kosovës.
“Djali i qytetit” siç e quan veten Munishi, premton luftë për trofe dhe dalje në Evropë. Munishi mori drejtimin e skuadrës më të trofeshme në futbollin e Kosovës, në fillim të qershorit. Sezonin e kaluar ishte në krye të Gjilanit, me të cilin siguroi garat evropiane, por më pas u largua. Deri më tani Munishi nuk e ka drejtuar asnjë skuadër kosovare në garat e UEFA-s, por një gjë të tillë synon ta bëjë me Prishtinën. Te Prishtina janë bërë shumë ndryshime për edicionin 2022/2023. Janë larguar shumë lojtarë që kanë bartur barrën kryesore dhe kanë ardhur shumë të tjerë. Problemet e mëdha në klub ende nuk janë tejkaluar, por janë në rrugë të mirë që të zgjidhen. Megjithatë, pavarësisht të gjithave, Ismet Munishi pohon se do të ndjekë moton që ka Prishtina pothuajse çdo vit – titullin e kampionit.
“Prishtina gjithmonë lufton për titull. E kemi parasysh që nuk do të jetë e lehtë, por ne do të luftojmë për trofe dhe dalje në Evropë dhe besoj që do t’ia arrijmë qëllimit. Normalisht që do të na ndihmojë shumë nëse do të stabilizohet situata me donatorët tanë, nëse do të kemi stabilitet edhe nga lart, do të na ndihmojë shumë sepse nuk varen të gjitha gjërat nga ne. Ajo që varet nga ne, nga unë dhe futbollistët, ne do t’i kryejmë detyrat tona me përpikëri dhe që këtu do t’i garantoj që Prishtina do të luajë në garat evropiane. Se në cilat garat, duhet ta presim fundin dhe të shohim edhe zhvillimet që do të ndodhin në klub në përgjithësi”, tha Munishi të martën për Kohën.
Munishi mendon se te Prishtina ka ardhur në kohën e duhur. Ai thotë se do të hyjë në histori të ekipit më të trofeshëm në futbollin e Kosovës.
“Unë mendoj se jam në kohën e duhur te Prishtina, sepse kam ardhur në kohën e revolucionit dhe në kohën kur klubit tim të qytetit i është dashur ndihmë e jashtëzakonshme. Nuk ka qenë situata mirë te Prishtina kur kam ardhur, por tani jam jashtëzakonisht i kënaqur. Unë si djalë i qytetit është dashur ta marr këtë barrë përsipër dhe mendoj që është koha më se e duhur”, shtoi Munishi. “Si trajner do të hyjë në histori që në 100-vjetorin e klubit kam ardhur dhe me disa djem të rinj kemi bërë revolucion në skuadër dhe do të bëjmë revolucion edhe në futbollin e Kosovës, jam jashtëzakonisht i bindur”.
Munishi thekson se është i kënaqur me përforcimet që ka bërë dhe paralajmëron edhe ardhje të tjera. Zbulon edhe tre emrat që i kanë mbetur merak që nuk ka mundur t’i sjellë në kryeqytet.
“Jemi shumë të kënaqur me transferimin e futbollistëve që i kemi bërë. Kemi marrë lojtarë që kanë pasur sezon shumë të mirë dhe nuk do të thotë që do të ndalemi. Kërkojmë lojtarë që ta rrisim konkurrencën në ekip. Është e vërtetë që peng më mbetet Progni dhe Zyba. Po ashtu, edhe Lorik Bosnjaku i cili nuk ka pritur dhe është ngutur me vendimin e tij”, deklaroi Munishi.
Për të qenë sa më të përgatitur, Prishtina është zhvendosur në Mavrovë të Maqedonisë së Veriut, ku krahas stërvitjeve po zhvillon edhe ndeshje miqësore.
“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Kemi luajtur dy ndeshje miqësore dhe jam ndarë shumë i kënaqur sepse edhe përkundër lodhjes që kemi pasur, kemi tregu gjëra shumë të mira që premtojnë për të ardhmen dhe kemi marrë edhe rezultate të mira duke mos e humbur asnjërën”, nënvizoi ai.
Me seriozitetin dhe angazhimin që kanë treguar lojtarët dhe me paraqitjet pozitive në kampione, Munishi mendon se do ta mbushin stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Unë jam i bindur se shkallët e stadiumit do t’i stërmbushim me ndihmën e ‘Plisave’ dhe me ndihmën e gjithë qytetarëve të Prishtinës. Unë vetë jam djalë i Prishtinës dhe besoj që edhe unë si trajner, por edhe skuadra do ta kemi përkrahjen e qytetit dhe normalisht që edhe do t’i gëzojmë me lojëra të mira. Do të na ndihmojë fakti që ndeshjet do t’i luajmë në mbrëmje”, është shprehur Munishi.
Në fund ai ka komentuar edhe situatën në klub. Prishtina ka zgjedhur kryesinë me aksionarë, por jo edhe presidentin e ri. Munishi thotë se janë të fokusuar vetëm në punë dhe jo në gjëra të tjera.
“Absolutisht që nuk na intereson politika dhe se çka ndodh atje. Ne jemi të fokusuar dhe do të jemi të fokusuar 100 për qind në punë. Ne e dimë që do të zgjidhen të gjitha çështjen që kanë të bëjnë me kryesinë e klubit. Janë duke shkuar pak ngadalë, por gjithsesi do të zgjidhen. Ne kemi bërë punë shumë të madhe dhe unë nuk kam pasur as kohë të bëjë telefonata me familje, sepse vetëm kemi punuar dhe kemi fjetur”, përfundoi Munishi.
Uka, Mërgim Pefqeli, Hasan Hyseni, Genc Hamiti, Gentrit Dumani, Endrit Baholli, Besir Ramadani, Ramiz Bytyqi, Marclei Santos, Egzon Bislimi, Muhamed Useini, Butrit Bulliqi, Ardi Ajdini dhe Korab Luma, janë lojtarët që edhe zyrtarisht i janë bashkuar ekipit. Ka edhe lojtarë që nga juniorët kanë kaluar në skuadrën e parë. Andi Salihu, sipas faqes së Prishtinës, e ka impresionuar trajnerin Ismet Munishi dhe lojtarit i është ofruar kontratë katërvjeçare.