Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, të mërkurën ka konfirmuar se do nisë ndërtimin e linjës hekurudhore Shkodër – Gjakovë, një projekt strategjik infrastrukturor që synon të forcojë lidhjet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
Hekurudha do të ketë 7 stacione dhe një gjatësi prej 105.8 km, duke përfshirë 43 ura dhe 14 tunele, me një gjatësi të përgjithshme tunelesh prej 35.3 km.
Sipas studimit të fizibilitetit tashmë të realizuar, kostoja e projektit përllogaritet në 1.8 miliardë euro, nga të cilat 1.7 miliardë euro do të përdoren për ndërtimin, ndërsa pjesa tjetër përfshin shpenzime për leje, shpronësime dhe detaje teknike.
Ky investim jo vetëm që modernizon infrastrukturën hekurudhore, por edhe rikthen në vëmendje historinë e Shkodrës dhe lidhjen e saj shekullore me Gjakovën përmes transportit hekurudhor.