Gjykata Themelore në Mitrovicë të hënën e ka shpallur fajtor R.T dhe të njëjtin e ka dënuar me 6 muaj burg efektiv për kanosje ndaj tre zyrtarëve policor.
Aktgjykimi ndaj R.T u shpall të hënën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, nga gjykatësi Gëzim Ademi raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 50 euro, si dhe shumën prej 30 euro për fondin e kompenzimin e viktimave të krimit.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur në shtator të vitit të kaluar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, R.T ngarkohej se më 18 shtator 2019, në Mitrovicë, në rrugën “300 Dëshmorët e vitit 1903” me fjalë, në mënyrë serioze, ka kanosur personat zyrtarë.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri kishte kanosur patrullën policore në përbërje prej Ajet Beqirit, Faton Azemit dhe Fahredin Merovcit, të cilët kanë shkuar deri të firma e tij për ta shoqëruar të njëjtin në stacionin policor, lidhur me një ankesë të cilën kanë pasur kundër tij, raporton Betimi për Drejtësi.
Tutje thuhet se i njëjti nuk veproi sipas urdhrave policore dhe i kanosi me fjalët “do të shihni ju se kush jam unë kur t’i hiqni uniformat”, gjë e cila te pjesëtarët e policisë ka shkaktuar frikë dhe shqetësim.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri me këtë kishte kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181 par. 3 lidhur me par.1 të Kodit Penal.