Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike Karen Donfried, ka zhvilluar vizitë dy ditore në Tiranë në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ndër tjerash, ajo ka folur edhe për blerjet masive të armëve nga Serbia.
Donfried është pyetur nëse këto armë, të blera nga Rusia dhe Kina, e rrezikojnë sigurinë e Ballkanit.
Përgjigja e saj ka qenë e shkurtër, ku ka thënë se është e paimagjinueshme ta mendojë një vend që mban marrëdhënie të pandryshuara pas 24 shkurtit. Ajo ka sugjeruar se marrëdhëniet me Rusinë duhet të rishikohen.
“Kur një vend merr vendime për blerjet e armëve dhe sigurisht kur mendon në këndvështrim të gjerë për marrëdhëniet me atë vend, është shumë e vështirë të imagjinosh ndonjë vend që të ketë një marrëdhënie të pandryshuar me Rusinë pas 24 shkurtit”, ka thënë ajo.
“Dhe, e përsëris, mendoj se çdo vendim që një vend merr në lidhje me blerjet e armëve është i informuar nga ai këndvështrim i gjerë mbi mënyrën se si duhet të jetë në vazhdim një marrëdhënie me Rusinë apo me Kinën. Po mjaftohem me kaq”, ka shtuar ajo.
Donfried, ka folur edhe për dallimet që kishte SHBA me BE-në para 24 shkurtit, kur do të fillonte pushtimi i Rusisë.
“Më duhet të them që kishte një dallim opinionesh midis disa evropianëve dhe Shteteve të Bashkuara për planet e Rusisë në prag të 24 shkurtit dhe mendoj se meqenëse disa nga aleatët dhe partnerët tanë evropianë nuk besonin se Rusia do ta ndërmerrte atë sulm, në shumë mënyra 24 shkurti ishte për pjesën më të madhe të Evropës i barazvlefshëm me atë që ishte 11 shtatori për Shtetet e Bashkuara dhe na ka treguar të gjithëve një anë të Rusisë që ne shpresonim të mos ekzistonte”, ka thënë Donfried.