Dorëheqja e policëve në veri, Kurti: Ata që duan të punojnë duhet të aplikojnë

Dorëheqja e policëve në veri, Kurti: Ata që duan të punojnë duhet të aplikojnë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti interpelancën e sotme në Kuvend lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, ka folur për dorëheqjet e serbëve nga insitucionet.

Kurti ka folur për dorëheqjet në polici duke thënë se vendimi për dorëheqje kolektive ishte politik.

“Çështja e trajtimit të dorëheqjeve të zyrtarëve policorë nuk është vendim i imi, as i MPB-së, nuk është vendim politik. Vendim politik ka qenë dorëheqja politike. Për bindjen time, për arsye të paqena, thoshin morale dhe individuale e teksti krejt i njëjtë për secilin prej tyre. E njëjta krizë morale e individuale i kishte kapur kolektivisht bashkë secilin prej tyre me tekstin identik te dorëheqjes, ky është vendim politik. E përsëris thirrjen që asnjë serb të mos i braktisë institucionet. E tillë do të jetë edhe në ditët në vijim… Institucionet nuk janë të qeverisë dhe të një komuniteti, janë të të gjithë qytetarëve të Republikës”, tha ai.

Tutje kryeministri Kurti ka thënë se vakumi i krijuar duhet të pasohet me aplikime të reja për punë.

“Aty ku ka vakum duhet të ketë aplikime të reja për punë, vendimi politik i dorëheqjes nuk mund të pasohet me thirrje publike për kthim por me aplikim profesional të atyre të cilët i duan ato vende të punës, dhe natyrisht të gjithë janë të mirëseardhur”, u shpreh Kurti në seancën e Kuvendit.

Related Articles