OJQ Qytetarët Aktivë të hënën ka dorëzuar kallëzim penal lidhur me degradimin e Monumentit Natyror “Ujëvarat dhe Parku i Mirushës”.
Ky kallëzim penal u dorëzu në lidhje me Monumentin Natyror “Ujëvarat dhe Parku i Mirushës“ e shpallur si zonë e veçantë, lidhur me projektin: Pastrimi i Ambientit dhe rregullimi i stazës për këmbësor dhe biçikleta me ndriçim dhe pushimore prej rrugës regjionale Klinë-Gjakovë deri te Ujëvara e Mirushës.
Në raport me këtë çështje, Flutura Zymi nga kjo organizatë tha se zyrtarët e përfshirë të Komunës së Klinës dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, Infrastrukturës MMPHI, me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë kryer vepra penale të degradimit ose shkatërrimit të mjedisit sipas nenit 338 të Kodit Penal të Kosovës, lejimit të kundërligjshëm të instalimeve që ndotin mjedisin neni 340, keqpërdorimit të besimit neni 330 si dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar të sanksionuar me neni 414 të Kodit Penal.
“Projekti i iniciuar nga Komuna e Klinës me datën 19.07.2019 nuk parashihet në planin hapësinor të Mirushës, nuk ka pasur as debat publik dhe as vendim nga Kuvendi i Kosovës apo Kuvendi Komunal, më pastaj me datën 31.07.2019 MMPHI autorizon projektin me fillimin dhe realizimin e procedurave të prokurorimit, me shumë 384 00 euro pa leje mjedisore, pa leje ndërtimi, pa vlerësim të ndikimit në mjedis pa raport mjedisor si dhe pa rekomandimet e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës dhe njëkohësisht projekti nuk ka vlerësim të pranueshmërisë për rrjetin ekologjik i cili është i detyrueshëm sipas Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës”, ka theksuar ajo.
Sipas saj, projekti në fjalë ka degraduar zonën 1 dhe 2 e cila është zonë strikte, kanë ndërhyrë në shtegun ekzistues në gjerësi prej 2 metra duke e degraduar në 10 deri 15 metra për 2.3 km, ndërhyrje e cila ka ndikuar në karakteristikat dhe vlerat për të cilat Mirusha është shpallur Monument Natyror sipas Nenit 14 të Ligjit për mbrojtjen e Natyrës./Gazeta “Enigma”/