Kosova do të prezantohet me 9 sportistë në Lojërat Olimpike 2024, në garat që nisin zyrtarisht nesër dhe që do të zgjatin deri më 11 gusht.
Nga nëntë sportistë gjithsej nga Kosova, pesë do të jenë xhudistë, dy do të jenë notues, një boksiere dhe një atlete.
E presidenti i Komitetit Olimpik të Serbisë, Bozhidar Malkoviq është deklaruar mbi shqetësimet rreth asaj nëse sportistët serbë do të jenë në një podium me sportistët e Kosovës.
Ai ka thënë se me rëndësi është që, nëse ndeshen me sportistët e Kosovës, t’i mposhtin ata dhe se ikja s’është në natyrën serbe.
“Për këtë çështje, në nivel shtetëror, nuk miratojmë apo përcaktojmë qëndrim. Të dalim apo jo në podium? Qëndrimi im është që të dalim në podium, se nuk është serbe të ikësh. Ta mposhtim atë kundërshtar nga Kosova! Ata janë anëtarë të KON-it si të gjithë anëtarët e tjerë të KON-it. Si Britania, Gjermania, si Serbia. Edhe Thomas Bach, presidenti i KON-it, kërcënoi gjatë Rios se do të na pezullonte dhe do të na përjashtonte nga anëtarësia e tij nëse refuzonim të luanim. Unë pyes, kush ka të drejtë të shkatërrojë rininë e vet, kush ka të drejtë të rrezikojë të ardhmen e tyre me një lëvizje të tillë, duke rrezikuar të mos marrë pjesë në Olimpiadë? Kush është ky dhe pse e bën këtë?”.