Dorëzohet Vuçiqi, thotë se Kurti s’po i lë serbët e Kosovës të votojnë për zgjedhjet e Serbisë

Dorëzohet Vuçiqi, thotë se Kurti s’po i lë serbët e Kosovës të votojnë për zgjedhjet e Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se zgjedhjet parlamentare të Serbisë që do të mbahen më 17 dhjetor, nuk do të mbahen në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, sepse, siç tha ai, “kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk dëshiron t’i lejojë serbët të kenë të drejta elementare dhe natyrore”.

“Perëndimi do të thotë se nuk ka mundësi për t’i bërë presion Kurtit dhe do të lëshojë një deklaratë. Tashmë ka pasur një deklaratë nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, dhe kaq”, tha Vuçiqi në Dubai, ku po merr pjesë në Samiti i Liderëve për Ndryshimet Klimatike, raporton “Beta”.

Ai shtoi se “Kurti insiston ekskluzivisht në njohjen e pavarësisë së Kosovës si kusht për mbajtjen e zgjedhjeve”.

“Ne duhet ta njohim Kosovën në mënyrë që serbët të marrin pjesë në zgjedhje. Dhe pikë. Asgjë më shumë, asgjë më pak. Dhe këtë e dinë të gjithë në Serbi dhe në Evropë. Është mirë që ata do të reagojnë ndaj saj, por ne nuk do ta marrim asgjë nga ai reagim”, tha Vuçiqi.

Kryeministri Kurti, më 19 nëntor i kishte dërguar një letër shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ku thoshte se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje ndërshtetërore, në mënyrë që pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë të mund të votojnë në territorin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare serbe.

Këtë deklaratë, Kurti e ripotencoi edhe në takimin e djeshëm me ambasadorët e shteteve të Quint-it dhe me ambasadorin e BE-së në Kosovë, ku shprehu “keqardhje” për mungesën e gatishmërisë se Serbisë për një marrëveshje të tillë që do t’iu mundësonte shtetasve të Kosovës që kanë edhe shtetësinë e Serbisë të marrin pjesë në zgjedhje sipas praktikave më të mira evropiane ndërshtetërore për votim nga jashtë vendit.​

Kundër kërkesës së BE-së doli edhe zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi.

Me anë të një shkrimi në platformën X, ai theksoi më 30 nëntor se mbajtja e zgjedhjeve të tilla në Kosovë nuk është në frymën e dialogut.

“Në vendin tonë nuk janë planifikuar zgjedhje për këtë vit. Nëse autoritetet e vendeve të tjera do të preferonin të organizonin zgjedhje në Kosovë për diasporën e tyre, ata duhet të kërkojnë zyrtarisht nga autoritetet tona një vendim dhe mbështetje pozitive”.

“Përpjekja për të organizuar zgjedhje të tilla pa një kërkesë paraprake apo vendim pozitiv, nuk është në frymën e dialogut dhe nuk kontribuon në ndërtimin e besimit. Përderisa nuk ka kërkesë të drejtpërdrejtë zyrtare, nuk mund të ketë vendim. Këtë supozohet se e dinte zoti Stano”, deklaroi Bislimi.

Të mërkurën, Stano tha se serbët e Kosovës nuk janë lejuar nga autoritetet kosovare të votojnë në Kosovë për zgjedhjet parlamentare të Serbisë dhe se “ky vendim nuk është në frymën e dialogut, parimit të mbrojtjes së të drejtave të pakicave dhe ndërtimit të besimit mes Kosovës dhe Serbisë”. 

Related Articles