Dosja e Prokurorisë ndaj Nagip Krasniqit, çka thotë aktakuza e re për ish-kryeshefin e KEK-ut?

Dosja e Prokurorisë ndaj Nagip Krasniqit, çka thotë aktakuza e re për ish-kryeshefin e KEK-ut?

Ish-kryeshefi i Korporatëes Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi po përballet edhe me një tjetër aktakuzë që ka të bëjë me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Aktakuza e fundit ndaj tij mban datën 30.12.2024.

Krasniqi tashmë ka një rast tjetër gjyqësor në cilësinë e të akuzuarit për pozitën e njëjtë si ish-kryeshef i KEK-ut.

Lidhur me aktakuzën e parë, Kransniqi nuk kishte pranuar fajësinë ndërsa rasti është në procedim e sipër.

Çka thotë aktakuza e re e Prokurorisë Speciale për Nagip Krasniqin?

Nagip Krasniqi si kryeshef i KEK-ut, në bashkëkryerje me Ymer Dragushën (ushtrues detyre i drejtorit të Zyrës së Prokurimit) akuzohen se nga nëntori i vitit 2022 e deri në fund të janarit të vitit 2023 kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke i tejkaluar kompetencat që i kanë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, tejkalimi i kompetencës është bërë që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër në këtë rast operatorit ekonomik “Litwin S.A” në rastin e aktivitetit të prokurimit lidhur me “Riparimin Kapital të kalldasë të bllokut A5”.

Tutje sipas Prokurorisë më datë 27.12.2022, Krasniqi kishte ftuar në zyrë të akuzuarin Ymer Dragusha duke i kërkuar të njëjtit që të fillohet procedura për hulumtimin e tregut, që të fillohet procedura e negociuar për tenderin për riparimin e kalldasë të bllokut A5. Sipas Prokurorisë, Dragusha e kishte vënë në dijeni Krasniqin se një gjë e tillë është në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik.

Tutje prokuroria pretendon se Dragusha pasi kishte marrë kërkesën nga Krasniqi, i kishte thënë zyrtarit E.T., që t’i ftojë në takim përfaqësuesit e operatorëve ekonomik “Intering”, “Monting Energjitika”, Litwin S.A”, të cilët operatorë paraprakisht ishin shpallur të papërgjegjshëm në procedurën e hapur të prokurimit.

Tri ditë më vonë, sipas Prokurorisë, më 29.12.2022 Krasniqi dhe i akuzuari tjetër Dragusha kishin zhvilluar negociata me operatorët ekonomik lidhur me tenderin “Riparimi Kapital të Kalldasë të bllokut A5”  pa qenë në komisionin për vlerësim dhe negocim, ende pa u bërë njoftimi për shpallje në faqen E-prokurimi. Ndërsa me 16.01.2023 pas përfundimit të negociatave, kanë bërë njoftimin për shpallje duke i eliminuar nga gara operatorët “Intering”, “Monting Energjetika” duke e favorizuar operatorin “Litwin S.A”.

Themelimi i komisionit për vlerësimin dhe negocim për “Riparimin kapital emergjent të kalldasë të bllokut A5”, ishte bërë katër ditë më vonë pikërisht më 20.01.2023 prej kur ishte bërë shpallja për njoftimin për kompaninë “Litwin S.A”. Ky komision sipas dosjes, kishte ardhë me një konstatim më 25.01.2023 se operatori në fjalë nuk i plotësonte kushtet që kërkoheshin në dosjen e tenderit dhe nuk i’u kishte përmbajtur premtimeve të dhëna gjatë zhvillimit të negociatave me që rast komisioni kishte rekomanduar që të anulohet aktiviteti i prokurimit.

Sipas komisionit, operatori në fjalë kishte kërkuar ndryshohen kushtet e tenderit, të zgjatet afati për kryerjen e punëve, të ulet përqindja në penallti, dhe të zvogëlohet garancia bankare.

Ndonëse kryeshefi i asaj kohe, Nagip Krasniqi kishte dijeni për raportin e komisionit, dhe gjetjete tij siç theksohet në dosje, ai kishte urdhëruar të pandehurin tjetër Ymer Dragusha që të nënshkruajë kontratën, këtë e kishte bërë përmes e-mailit me datë 25.01.2023.  Kontrata ishte nënshkruar më pas, ndonëse ende nuk ishte siguruar garancia bankare e cila do të ekzekutohej në rast të dështimit të kontratës.

Si rezultat i veprimeve të  pandehurve, nga 19.07.2022, e deri më 06.05.2023 blloku A5 ishte jashtë funksionit, andaj siç theksohet nga ana e Prokurorisë, KEK-u u detyrua që të importojë energji në vlerë prej 36 milionë euro.

Me këtë në dispozitivin e parë, Krasniqi dhe Dragusha akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Tutje aktakuza vazhdon me diapozitivin e dytë, në të cilin prapë Krasniqi e Dragusha akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Në këtë dispozitiv, Krasniqi e Dragusha akuzohen sipas Prokurorisë se i kanë mundësuar përfitim pasuror personit tjetër – operatorit ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit “Angazhimi i një kompanie konsulentë ligjore” në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

Krasniqi sipas Prokurorisë, ishte konsultuar për termat e referencës me të pandehurin Isuf Zejna që është aksionar i kësaj kompanie ligjore me datë 02.03.2023 ka kërkuar nga i akuzuari tjetër Dragusha që të iniciohet procedura e prokurorit e negociuar për angazhimin e konsulentit për këshillime në aspektin ligjor dhe të prokurimit për kryeshefin ekzekutiv dhe stafin e KEK-ut ndonëse në deklaratën e nevojave dhe përcaktimit të disponueshmërisë së fondeve nuk ishte paraparë, duke e përcaktuar si operator të vetëm kompaninë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”.

Sipas Prokurorisë, ekzistonin raporte të ngushta shoqërore në njërën anë mes palëve.

Dosja tutje elaboron se Dragusha përkundër faktit që e dinte se kërkesa e Krasnqiit ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, kishte filluar procedurën e prokurimit me datë 02.03.2023 me titull “Angazhimi i një kompanie konsulent ligjor”.

Ndonëse organi kompetent për komentimin e ligjeve të prokurimit publik kishte lëshuar një rekomandim se duhet të ketë procedurë të hapur , Krasniqi e Dragusha kishin zhvilluar procedurë të negocimi me kompaninë ligjore, dhe me datë 03.04.2023 pas urdhrit të Krasniqi, Dragusha nënshkruan kontratën me kompaninë ligjore “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” në vlerë prej 60 mijë euro – theksohet në dosje.

Aktakuza voluminoze prej 68-faqëshe në diapozitivin e tretë përsëri akuzon Krasniqin e Dragushën për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje.

Sipas diapozitivit të tretë nga dhjetori i vitit 2022 e deri më 18.04.2023 Krasniqi në të njëjtën cilësi dhe Dragusha po ashtu në të njëjtën cilësi, duke keqpërdorur detyrën zyrtare kanë tejkaluar kompetencat duke i mundësuar përfitim pasuror personit tjetër operatorit ekonomik “Ergotem S.A”, duke i shkelur të drejtat personave të tjerë për aktivitetin e prokurimi “Pllaka rrëshiqtëse në PF- kanalet e mullinjëve të thëngjillit”.

Krasniqi sipas Prokurorisë disa muaj para se të bëhej njoftimi në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik për aktivitetin e njëjtë, i kishte ftuar në mënyrë të kundërligjshëm përfaqësuesit e operatorit “Ergotem S.A” me qëllim që të zhvillohet një vizitë në punishtet e KEK-ut tutje i urdhëron zyrtarët përgjegjës që të ja dërgojë kësaj kompanie specifikat teknike të tenderit, ende pa u bërë shpallja e tenderit.

Kështu sipas prokurorisë më 15.12.2022 Krasniqi i shkruan të pandehurit Dragusha dhe e urdhëron që për tenderin që do të shpallej me 16.12.2022 të ftohet operatori ekonomik “SBB” dhe “Ergotem S.A”, duke përcaktuar paraprakisht konkurruesit/ofertuesit e tenderit dhe pastaj në të njëjtën datë të bëhet shpallja e njoftimit për kontratë.

Pas përfundimit të procesit të vlerësimit të ofertave nga ana e komisonitn, opertori “Ergotem S.A”, shpallet fitues i tenderit. Para nënshkrimit të kontratës kjo kompani kërkon nga KEK që të ndryshohen kushtet e tenderit lidhur me garancinë bankare nga 50 % sa ishte në dosje të tenderit të zbirtet në 10% , kështu nga dy të pandehurit pranohet kjo kërkesë por duke e rritur pakëz vlerën e përqindjes në 15 % duke u nënshkruar kontrata më 07.04.2023 nga Dragusha kurse më 18.04.2023 nënshkruhet nga Krasniqi në vlerë prej mbi 1 milion euro.

Sipas dosjes së prokurorisë më datën 25.01.2023 në Prishtinë, me dashje, në bashkëkryerje në cilësinë  e personave zyrtar, i pandehuri Nagip Krasniqi si kryeshef ekzekutiv i KEK-ut  dhe Ymer Dragusha si ushtrues detyre i drejtorit të Zyrës së Prokurimit (ZEP) më datën 25.01.2023 në Prishtinë kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që ti mundësojnë përfitim personit tjetër – në këtë rast operatorin ekonomik ‘’Tuv Hellas’’ dhe t’ua shkelin të drejtat e personave tjerë, ashtu që me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në procedurë të negociuar, i emërtuar si “Blerja e shërbimeve për mbikëqyrjen e implementimit të projektit, dizajni, furnizimi dhe kryerja e punëve lidhur me dilatimin e kalldave B1 dhe B2 në TC Kosova B”, në tenderin me nr. të prokurimit KEK-23-348-2-1-5, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me LPP.

Në aktakuzë thuhet, se më datën 24.01.2023 ende pa u bë shpallja e njoftimit për tender i pandehuri Nagip Krasniqi i kishte shkruar të pandehurit Ymer Dragusha dhe kundërligjshëm e kishte obliguar që të kontaktonte me operatorin ekonomik “Tuy Hellas” dhe ta ftonte që të aplikonte për tender të negociuar, mirëpo zyrtarët e KEK-ut fillimisht e kishin njoftuar të pandehurin Nagip Krasniqi se ky veprim ishte në kundërshtim me nenin 7 të LPP, përkundër kësaj i pandehuri Krasniqi thuhet në aktakuzë përmes email-it, e kërcënon zyrtarin A.K se do ta largojë nga puna nëse nuk vepron sipas urdhrave të tij.

Në aktakuzë tutje thuhet së nën kërcënim dhe presion, zyrtarja Myrvete Gërguri, e kishte kontaktuar kompaninë në fjalë dhe i kishte ofruar  udhëzime të  nevojshme se si të aplikojë në tender, krejt kjo një ditë para shpalljes së tenderit sepse me datën 25.01.2023, ishte bërë njoftimi për shpalljen e tenderit në e-prokurim.

Po ashtu në aktakuzë thuhet se përkundër njoftimit nga zyrtarë përgjegjës se nuk mund të zhvillohet procedurë e negociuar në rastin e këtij tenderi, të pandehurit e kishin shpërfillur njoftimin dhe kishin vazhduar me procedurë të negociuar vetëm me operatorin ekonomik ‘”TUV Hellas’’, të cilin sipas aktakuzës veçse e kishte përzgjedhur i pandehuri Nagip Krasniqi, ende pa u shpallur tenderi.

Tutje në aktakuzë thuhet se gjatë procedurës së negocimit në mënyrë të kundërligjshme të pandehurin i kishin bërë favor këtij operatori kriterin tenderues të garancionit bankar nga 50% në 10% dhe për kundër faktit se operatori ekonomik kishte mungesë të dokumentacionit në dosjen e tenderit për pikat tenderuese si: referenca për punë,  diplomat e ekspertëve dhe certifikata ISO 9001.

Në aktakuzë përshkruhet se bazuar në faktin se gjatë procedurës negocimit i pandehuri Nagip Krasniqi, personalisht disa herë kishte pasur kontakte telefonike me përfaqësuesin e këtij operatori dhe  duke qenë në dijeni për mangësitë që operatori ekonomik kishte në raport me kushtet e tenderit, vendosën që të nënshkruajnë kontratë me këtë operator në vlerë prej  628,425.00 euro më datën 30.03.2023.

Andaj me këtë në bashkëkryerje e kishin kryer veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Po ashtu sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri Nagip Krasniqi prej muajit korrik deri më 25.11.2022, në Prishtinë me dashje në cilësinë e personit zyrtar si kryeshef ekzekutiv i KEK-ut duke keqpërdorur detyrën zyrtare në aktakuzë thuhet së kishte tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i mundësonte përfitim personit tjetër, pra në këtë rast operatorit ekonomik “Bahri Asllan & FAM” dhe t’ua shkelë të drejtat e personave tjerë, në këtë rast pra operatorit ekonomik “Takraf” dhe i shkatoj dëm buxhetit të Kosovës ashtu që me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në procedurë të negociuar i emërtuar si “Punë shtesë në riparimin e ekskavatorit E9 – Montimi i shtratit sferik”, me numër të  prokurimit ‘’KEK-22-11643-5-2-5’’, kishte shkelur rëndë rregullat e përcaktuara me LPP, në atë mënyrë që fillimisht kishte urdhëruar aktivitet prokurimi të lartcekur.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pastaj ai kishte zhvilluar  të ashtuquajturën “faza fillestare të negociuara’’ me operatorin ekonomik  “Bahri Asllan & FAM”, mirëpo për shkak të kushteve të negocimit, i kishte pezulluar  negociatat me këtë operator dhe kishte hapur  negociata të reja me operatorin ekonomik “Takraf”, me të cilën pas disa takimeve me datën 26.07.2022 sipas aktakuzës arriti një marrëveshje e cila nuk u ekzekutua menjëherë për shkak të kushteve në terren andaj u shty deri në krijimin e kushteve atmosferike.

Në aktakuzë përshkruhet se përkundër faktit që më operatorin ekonomik “Takraf” kishte një marrëveshje të dakorduar siç u përshkrua më lartë, i pandehuri Nagip Krasniqi, përmes zyrtares së tij i ka dërguar e-mail operatorit ekonomik  “Bahri”.

Andaj sipas dosjes së Prokurorisë me këtë në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Tutje, në diapozitivin e gjashtë të aktakuzës i pandehuri Nagip Krasniqi po akuzohet se në periudhën kohore 2022-2023, në Prishtinë, me dashje, në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar si kryeshef ekzekutiv i KEK-ut, ka zbuluar fshehtësi zyrtare lidhur me procedurat e prokurimit të cilat po zhvilloheshin në KEK.

Sipas aktakuzës, këto fshehtësi i pandehuri Krasniqi i ka ndarë me personin jo zyrtar, përkatësisht me Dejona Mihalin, e cila nuk mban asnjë pozitë zyrtare në administratën shtetërore e për të cilat informata i pandehuri Krasniqi kishte qasje si rezultat i detyrës së tij, dhe të cilat nuk ishin publike. Mihali është pjesë e partisë në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje.

Në aktakuzë thuhet se me datë 02.07.2022 , i pandehuri Krasniqi, gjatë komunikimeve në rrjetin social “WhatsApp’’, me znj. Mihaili, i ka dërguar informatën lidhur me dyshimin për abuzimin e energjisë elektrike nga ana e KESH-it sipas marrëveshjes së datës 24.06.2022 në mes të KEK dhe KESH.

Tutje, në aktakuzë thuhet se me datën 22.04.2022, i pandehuri Krasniqi gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar znj. Mihali dy dokumente për eksportet e energjisë elektrike për muajin Mmars-prill 2022. Pas pranimit të lajmit nga ana e saj lidhur me publikimin e një informacioni nga portali “Reporteri’” me titullin ‘’Kompania GEN e lidhur me ambasadorin Berisha mori 4.2 milion euro nga Kosova për dy muaj të krizës energjetike’’.

Sipas aktakuzës thuhet se i pandehuri Krasniqi me datën 24.02.2022, gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Mihalit një dokument me titull “Agjenda e takimit të datës 09.02.2023’’, në të cilën janë të përfshira pikat kryesore si dhe termat e referencës për prokurimin e titulluar “Shërbime të Konsulencës Ligjore dhe Rregullatorët’’.

Tutje, thuhet se me datën 12.04.2023, i pandehuri i lartcekur gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal” i ka dërguar Mihalit, një draft-autorizim për angazhimin e një konsulenti të jashtëm për asistencë teknike për sektorin e fushëveprimit të KEK-ut, përkatësisht angazhimin e ekspertit G.B.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se me datën 04.08.2022, gjatë komunikimeve i pandehuri Krasniqi në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Mihalit, kërkesën drejtuar Qeverisë së Kosovës, përkatësisht kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe ministrave të Qeverisë për plotësim/ndryshimin e vendimit për shpalljen e emergjencës energjetike.

Sipas aktakuzës me datë 29.09.2022,gjatë komunikimeve në rrjetin social “WhatsApp’’ me anëtarët e të njëjtit grup, i pandehuri Krasniqi e ka dërguar tabelën me të dhënat/çmimet e gjashtë (6) tenderuesve të cilët kanë ofertuar për aktivitetet e prokurimit: Riparimi kapital i kalldasë dhe Riparimi kapital i turbinës dhe gjeneratorit.

Tutje, në aktakuzë thuhet se me datën 13.10.2022 gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘”WhatsApp’’, në grupin ku bënte pjesë Mihali, i pandehuri Krasniqi e ka dërguar informatën të cilën e ka pranuar nga anëtari i komisionit të vlerësimit dhe negocimit S.I., në lidhje me tenderin me numër KEKC-22-287-51, përkitazi me ofertat e ofruara nga operatorët ekonomik si dhe komunikime tjera në këto platforma.

Tutje, sipas aktakuzës i pandehuri Krasniqi po akuzohet se me datën 16.05.2022, gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Mihalit, një komunikim-foto me shkrimin e tre emrave dhe pozitave të zyrtarëve në KEK: D.B, E.T. dhe M.K., pas të cilës e njëjta i kthen përgjigje dhe për secilin veç e veç i jep informata për profilin e secilit nga të lartcekurit.

Me këtë, i pandehuri Nagip Krasniqi po akuzohet se e ka kryer veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” Në diapozitivin e shtatë të aktakuzës i pandehuri Isuf Zejna , në cilësinë e përfaqësuesit të kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, po akuzohet se në periudhën kohore dhjetor 2021 deri në prill të vitit 2023, në Prishtinë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit personal, e ka ndihmuar të pandehurin Nagip Krasniqi që në cilësinë e Kryeshefit ekzekutiv i KEK-ut që ta keqpërdor detyrën zyrtare në lidhje me tenderin me numër KEK-23-1630-2-2-5, i titulluar “Angazhimi i një kompanie konsulent ligjor”.

Në aktakuzë thuhet se me datën 14.02.2023, i pandehuri Zejna i ka ndihmuar të pandehurit Nagip Krasniqi në përgatitjen e termave të referencës për tenderin në të cilin ishte vetë pjesëmarrës.

Sipas aktakuzës, thuhet se fillimisht i pandehuri Krasniqi ja dërgon një draft të termave të referencës të pandehurit Zejna, e më pastaj i pandehuri Zejna ia kthen të njëjtin draft të pandehurit Krasniqi, ndërsa ky i fundit draftin e dërgon te Zyra e Prokurimit në KEK dhe u kërkon inicimin e këtij aktiviteti të prokurimit me procedurë të negociuar.

Tutje në aktakuzë, thuhet se me të kuptuar lidhur me këtë procedurë, KRPP i shkruan KEK-ut shkresën përmes së cilës e rekomandon se kjo procedurë duhet të zhvillohet me procedurë të hapur me qëllim të rritjes së transparencës dhe konkurrencës.

Në aktakuzë thuhet se Nagip Krasniqi për shkak të raporteve të ngushta me të pandehurin Isuf Zejna, e injoron këtë rekomandim dhe me datën 03.04.2023, e nënshkruan kontratën me operatorin “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, respektivisht me të pandehurin Isuf Zejna, duke e shpërblyer me shumën prej 60.000.00.

Me këtë i pandehuri Isuf Zejna po akuzohet se ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Related Articles