Një prej figurave kryesore të lidershipit të Bashkimit Europian, Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel, i ka dhënë mbështetje idesë për një konferencë ndërkombëtare, në të cilën do të kërkohej marrëveshja Kosovë -Serbi. Michel, këtë qëndrim e ka shpalosur para nisjes së takimit të Këshillit Europian derisa ka folur para gazetarëve.
Presidenti i KE’së ka thënë se në pjesë e Konferencës do të ishin disa shtete anëtare të BE’së në koordinim me Shtetet e Bashkuara.
“Dua të them se ne e mbështesim edhe idenë për të organizuar, sa më parë që të jetë e mundur, një konferencë – së bashku me disa shtete anëtare të BE-së”, ka thënë Michel para nisjes së Samitit të BE’së derisa ka qenë i shoqëruar me Sekretarin e NATO’s Jens Stoltenberg.
“Mendoj se ka ardhur koha të kemi një qasje globale dhe të bëjmë hapa të qartë drejt normalizimit” ka shtuar Michel.
Ideja e konferncës ndërkombëtare për Kosovën publikisht është shtyrë nga Kryeministri Edi Rama I cili në disa konferenca për media ka thënë se ka ardhur koha që Kryeministri Kurti dhe Presidenti Aleksandar Vuçiq të mbyllen derisa të arrihet një marrëveshje.
Gjatë kësaj jave Rama e ka “dorëzuar” edhe formalisht propozimin e tij në Bruksel gjatë takimeve me zyrtarë të lartë atje, përfshirë Presidentin e KE’së Michel dhe Përfaqësuesin e Lartë Josep Borell.
Emisari në dialogun Kosovë -Serbi Miroslav Lajcak e ka konfirmuar dje se Rama e ka cuar në Bruksel propozimin.
“ Është nismë e Edi Ramës. Më duhet të them se ai luan një rol aktiv dhe konstruktiv në të gjithë krizën, sepse është një njohës i mirë i situatës në terren. Sigurisht, si kryeministër i Shqipërisë, zëri i tij është mjaft autoritativ për t’u dëgjuar. Unë jam në kontakt të rregullt me të dhe e di se sa kohë dhe autoritet ka investuar për të gjetur një zgjidhje. Ky është propozimi me të cilin ai erdhi. Jemi në kontakt të përditshëm me SHBA-në dhe kryeqytetet kryesore evropiane. Por sigurisht, platforma më e mirë për zgjidhjen e çështjeve është dialogu dhe ne duhet t’i kthehemi dialogut” ka thënë Lajçak.
Por, a është opsion real një konferencë e tillë?
“Nuk u diskutua për pritjet nga ajo konferencë. Është shumë herët për të spekuluar për këtë. Dua të theksoj edhe një herë se rolin e Ramës e shoh konstruktiv” ka theksuar Lajçak.