Drejtori i Financave i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Gashi ka treguar të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e FFK-së gjatë vitit 2023.
Sot (e martë) është duke u mbajtur Kuvendi i Punës i FFK-së në praninë e 48 delegatëve, të cilët krijojnë kuorumin e nevojshëm për t’u mbajtur Kuvendi.
Në Kuvendin e Punës fjalën e ka marrë drejtori i financave, Agim Gashi, i cili ka sqaruar se FFK ka gjeneruar mbi 19 milionë euro të ardhura gjatë vitit të kaluar, ndërsa ka shpenzuar mbi 18 milionë euro.
“FFK për vitin 2023 ka pasur të hyra prej 19 milionë e 65 mijë e 359 euro, ndërsa shpenzime prej 18 milionë e 333 mijë 540 euro. Të hyra për vitin 2023 në raport me vitin 2022 kanë 7.77 për qind më të larta”, ka sqaruar fillimisht Gashi në Kuvendin e Punës.
Tutje, Gashi ka njoftuar edhe nga kanë ardhur të hyrat dhe nga kanë shkuar shpenzimet.
“Të hyrat nga UEFA janë 15 milionë e 295 mijë e 39 euro, nga FIFA 1 milionë 633 mijë e 65 euro, nga të drejtat televizive nga Armotion për Superligën dhe Ligën e Parë 702 mijë e 778 euro. Nga sponzorime të ndryshime kanë hyrë 126 mijë e 181 euro, nga organizimi i ndeshjeve 320 mijë e 736 euro, nga aktivitetet e zakonshme 202 mijë 800 euro dhe nga VIVA Fresh 50 mijë. Subvencione nga MKRS janë 150 mijë e 119 euro, nga marketingu 184 mijë e 800 euro, të hyrat tjera 77 mijë 35 euro. Nga participimi i participantëve për ngritjen dhe edukimin e trajnerëve 24 mijë e 600, nga projekti i EU Rasmus Goals për ekipet me nevojat e veçanta 18 mijë 127 euro, nga Raiffeisen 200 mijë, nga Bon Voyage për U21 30 mijë euro, nga Lirmi Superliga Fustal 20 mijë dhe TEB Bank 30 mijë që në total i bie 19 milionë e 65 mijë e 35 euro”, shtoi Gashi.
Shpenzimet nga ana tjetër kanë shkuar shumica për paga dhe mëditje, por edhe për akomodim të ekipeve nacionale, organizim të ndeshjeve dhe mirëmbajtje të stadiumeve dhe ndërtesës së FFK-së.
“Te shpenzimet, si zakonisht ndodhin ato që janë obligative për të funksionuar Federata e Futbollit. Shpenzimet e akomodimit janë pak më të mëdha, 1 milion e 15 mijë e 970 euro nga 18 ekipe nacionale. Për organizim të ndeshjeve 398 mijë, të drejtat televizive për Superligën dhe Ligën e Parë janë 735 mijë euro. Shpenzimet programore në total për viti 2023 janë 6 milionë e 131 mijë e 643 euro, mirëmbajtja e stadiumit “Fadil Vokrri” 104 mijë euro, mirëmbajtja e fushave tjera të cilat i kemi 388 mijë e 170 euro dhe shpenzimet e mirëmbajtjes së ndërtesës së FFK-së (rryma, uji, rinovimet etj) janë 203 mijë euro”.
“Një shpenzim i veçantë që e kemi për vitin 2023 është shpenzimi i pagave, 4 milionë e 53 mijë e 325 euro nga 25 sektore apo njësi që kompensohet nga FFK, duke filluar nga administrata, ekipet nacionale, administrata e lidhjeve rajonale, gjyqtarët e të gjitha ligave, ekipet e femrave, gjyqtarët dhe zyrtarët e futsalit, ekipi u21. Trajnerët e gjitha grupmoshave, delegatët, ligat e femrave, futsalit, liga e veteraneve dhe u21”.
“Shpenzimet kanë shkuar edhe për projektet Gross Routs, projektet nga het-trik në lidhjet rajonale. Punëtorët e kampit nacional Hajvalia, punëtorët e stadiumit Fadil Vokrri, komisionet operative të federatës, stafi i sistemit elektronik Var, projektet Uefa Elite Youth për zhvillimin dhe ngritjen e grupomoshave, UEFA konventa e trajnerëve, gjyqtarëve, ekipeve nacionale të futsalit për senior dhe u19, mbështetja e turneve të përvjetorëve apo festave të ndryshime”.
“Në ndeshje janë paguar edhe persona tjerë jashtë administratës së FFK-së pasi nuk është e mundur të mbulohen nga FFK”, përfundoi drejtori i financave i FFK-së.