Drejtori Huruglica njofton për rezultatet preliminare të projektit kundër migrimit në Gjilan: 82 aplikues kalojnë fazën e parë, 65 do të përfitojnë

Drejtori Huruglica njofton për rezultatet preliminare të projektit kundër migrimit në Gjilan: 82 aplikues kalojnë fazën e parë, 65 do të përfitojnë

Drejtoria për Zhvillim Ekonomik e Komunës së Gjilanit ka njoftuar se janë publikuar rezultatet preliminare të fazës së parë të vlerësimit të aplikacioneve në kuadër të projektit “Punë dhe Aftësi për Parandalimin e Migrimit në Kosovë”, i cili realizohet nga organizata Help in Kosovo, në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit, raporton Gazeta Enigma.

Drejtori për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Gjilanit, Haki Huruglica, ka bërë të ditur se nga gjithsej 185 aplikacione të pranuara, 82 aplikues kanë kaluar fazën e parë të vlerësimit.

Sipas tij, aplikuesit që kanë kaluar këtë fazë do të vizitohen në terren nga komisioni i organizatës HELP, i cili pas përfundimit të vizitave dhe vlerësimit do të bëjë përzgjedhjen përfundimtare të 65 përfituesve të projektit.

Ndërkohë, 32 aplikues janë përfshirë në listën rezervë, ndërsa 71 të tjerë nuk janë përfshirë në listën e vizitave në terren në këtë fazë.

Huruglica ka sqaruar se aplikuesit në listën rezervë mund të përfitojnë në varësi të mundësive buxhetore që mund të krijohen gjatë procesit të prokurimit dhe kursimeve eventuale.

Ai ka theksuar se Drejtoria për Zhvillim Ekonomik mbështet zbatimin transparent dhe të paanshëm të projektit, i cili synon fuqizimin e ndërmarrësisë, krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik lokal.

Mundësi ankese për aplikuesit e pakënaqur

Të gjithë aplikuesit që nuk figurojnë në listën preliminare dhe dëshirojnë të paraqesin ankesë apo të kërkojnë sqarime lidhur me rezultatet e vlerësimit, mund t’i drejtohen kryesuesit të komisionit të organizatës HELP, Rrezart Shala, përmes adresës elektronike [email protected].

Drejtori Huruglica u ka bërë thirrje gjithashtu mediave dhe shoqërisë civile që ta përcjellin nga afër procesin e përzgjedhjes së përfituesve.

“Proces i hapur, vlerësim i paanshëm dhe transparencë e plotë. Çdo përfitues duhet të përzgjidhet mbi bazën e meritës dhe kritereve të përcaktuara, pa përjashtime dhe pa favorizime”, ka deklaruar Huruglica.

Projekti “Punë dhe Aftësi për Parandalimin e Migrimit në Kosovë” synon të krijojë mundësi ekonomike për qytetarët, duke mbështetur ndërmarrësinë dhe punësimin si masa për parandalimin e migrimit.

Gazeta Enigma

Related Articles