Drejtori i Financave në Gjilan, Riad Rashiti, ka bërë të ditur se edhe në këtë komunë Sindikata e Arsimit i është bashkëngjitur grevës dhe se pagat për shërbyesit civil ende s’janë ekzekutuar.
Ai tha se po përballen me një situatë shumë shqetësuese, teksa shtoi se sa i përket shëndetësisë, administrata është duke ofruar shërbime për qytetarët e Gjilanit.
“Jo, fatkeqësisht ashtu si në nivel Kosove edhe në Gjilan nuk është ekzekutuar asnjë pagë në asnjë sektor, kështu që edhe ne përballemi me këtë situatë që është e papranueshme, pasi janë 2 mijë e 477 punonjës në sektorin e arsimit, shëndetësisë dhe administratës dhe nuk e kanë të qartë që në një moment kur pagat duhej t’u dilnin dje, ata as sot s’i kanë pagat për muajin e kaluar”, është shprehur Rashiti në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se edhe tek drejtoria të cilën ai e udhëheq është dorëzuar kërkesa për t’i marrë të dhënat e personave që kanë qenë në grevë.
“Ne dje s’ua kemi dërguar pasi s’kemi pasur listë, sepse dje s’ka pasur grevë arsimi, për administratë s’kemi dërguar listë sepse ka funksionuar dhe njësojë ka qenë edhe sektori i shëndetësisë”.
“Ndërsa sot, kanë përsëritur kërkesën për t’i informuar me numrin e mësimdhënësve që kanë qenë në grevë. Ne sot s’kemi pasur mundësi t’i marrim, pasi është një strukturë e gjerë për të cilat merr kohë dhe në praktikë greva ka filluar dhe s’ka pasur mësim në asnjë shkollë”, është shprehur Rashiti.