Lulzim Kamberi përmes një emaili drejtuar mediave ka treguar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë në QKUK, sipas tij pasi që është penguar në avancimin e kësaj klinike që ka qenë nën dfrejtimine tij, raporton Gazeta “Enigma”.
Tutje Kamberi ka njoftuar se sot do të dorëhiqet nga kjo pozitë dhe të përkushtohet në punë profesionale.
Shpresoj që ky vendim i imi të ndikojë në vetëdijësimin e shoqërisë për funksionalizim të mëtejmë, tha Kamberi.
“Tani kur Klinika e Kardiologjisë ‘lundron’ në ujëra më të qeta, do të tërhiqem nga posti i Drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë, në vetë përfundimin e mandatit me qëllim të përkushtimit më të lartë në punë profesionale. Dorëheqja shpresoj të ndikoj në vetëdijësimin e shoqërisë për funksionalizim të mëtejmë”, ka deklaruar ai.
Tutje ai ka njoftuar se “gjatë kësaj kohe u ndesha me shumë veprime institucionale dhe joinstitucionale të cilat duhen ndërruar si: jofunksionalitet i duhur (ligjor etj..), neglizhencë, manipulime, kapje, interpretime të shtrembëruara etj.. Po ashtu, disa herë nuk ka qenë në nivelin e duhur edhe mbështetja dhe koordinimi i veprimeve nga strukturat hierarkike, me përjashtime”.
Kamberi në fund ka përmenduar edhe disa nga arritjet që janë bërë brenda kësa klinike, duke përmendur riorganizimin e saj, themelimin e Elektrofiziologjisë, korrigjimin e defekteve interatriale dhe përkujdesin e shtuar në edukimin e kuadrove të reja. /Gazeta Enigma/