Drenori: Përçarja para zgjedhjeve, shenjë jo e mirë për LDK-në

Drenori: Përçarja para zgjedhjeve, shenjë jo e mirë për LDK-në

Njohësi i çështjeve politike, Xhavit Drenori, për Gazetën Enigma thotë se një përçarje e LDK-së, “nuk është një shenjë e mirë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“LDK edhe ashtu është e paunifikuar, në kuptimin e paqartësisë rreth bashkimit apo jo me ish-presidenten Vjosa Osmani. Se sa do ta dëmtojnë këto përçarje LDK-në në zgjedhjet e jashtëzakonshme, mbetet të shihet. LDK në këto zgjedhje hyn goxha e paunifikuar, siç po shihet”, tha Drenori.

Tutje, Drenori tha se që nga fitorja e Ramës në zgjedhjet lokale, është ditur se LDK nuk i ka numrat e duhur në Kuvendin Komunal për të miratuar vendime.

“Një kryetar që nuk i ka numrat në Kuvendin Komunal është jashtëzakonisht i hendikepuar për të shtyrë çështjet përpara. Është ditur se Rama duhet të qeverisë me PDK-në, sepse nuk ka alternativë tjetër, pasi VV-ja nuk i shkon. Me gjasë, z. Rama nuk ka mundur ta shtyjë më tej çështjen e bashkëpunimit me PDK-në. Është e papërshtatshme në kohë, sepse ndikon negativisht në zgjedhjet e jashtëzakonshme.”

“Por, me gjasë, ato që janë përfolur kohëve të fundit, se ka një plasaritje mes zotit Rama dhe zotit Abdixhiku, tani po shpërfaqen. Të shohim tani se çfarë lëvizje do të bëjë zonja Osmani në këtë drejtim. Sepse një pjesë e udhëheqësisë së LDK-së, të cilës me gjasë i prin zoti Abdixhiku, i ka shpresat te kthimi i saj në LDK. Përndryshe, është ditur se LDK do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme edhe më keq e përgatitur sesa për zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar”, u shpreh në fund Drenori për “Enigmën”.

Related Articles