Drita, ekipi i katërt i Brojës në garat evropiane

Drita, ekipi i katërt i Brojës në garat evropiane

Drita e Gjilanit do të paraqitet në garat evropiane për herë të katërt në pesë vjetët e fundit. Të mërkurën ekipi gjilanas do të jetë mysafir i Inter Turkut në Finlandë. Ndeshja që luhet prej orës 17:00 në Turku është e para e raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Pas një jave, më 12 korrik, dueli i kthimit zhvillohet në “Fadil Vokrri”, ku edhe përcaktohet skuadra që kalon në raundin e dytë.

Hera e katërt që paraqitet në Evropë do të jetë edhe për futbollistin e Dritës, Rron Broja. Drita është ekipi i katërt më të cilin do të paraqitet mesfushori mitrovicas në gara kontinentale.

Ai ka luajtur në gara evropiane me ekipet e tri shteteve të ndryshme, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

“Për mua është hera e katërt që do të luaj në garat evropiane. Kam luajtur me Trepçën ’89, Shkupin, Partizanin e Tiranës dhe tani me Dritën. Nëse të gjithë së bashku e japim më të mirën nga vetja atëherë besoj që edhe përvoja që kemi do të na ndihmojë shumë”, ka thënë Broja të hënën për KOHËN.

Sipas tij, atmosfera te Drita është shumë e mirë. Ai shton se gjithçka ka shkuar mirë në fazën përgatitore dhe ekipi është i gatshëm për aventurën evropiane.

“Përgatitjet kanë shkuar mjaft mirë në të gjitha aspektet. Besoj që jemi gati për ndeshjet që na presin në garat evropiane. Atmosfera është shumë e mirë dhe na mbetet të japim më të mirën në fushë për të arritur objektivin”, u shpreh 26-vjeçari.

Ai thotë se e kanë analizuar kundërshtarin nga Finlanda. Por, e di se ndeshja mund të sjellë të papritura.

“E kemi analizuar mënyrën se si mund të luajnë finlandezët dhe duhet të japim maksimumin dhe të shohim pastaj se çka sjell ndeshja. Ne jemi të gatshëm të përballemi me ta dhe hyjmë për fitore dhe kalimin në raundin tjetër”, shtoi mesfushori qendror.

Broja mendon se Drita tashmë ka fituar përvojë në garat evropiane. E pranon se ndeshjet evropiane janë të vështira, sidomos në fazën e parë, por beson se mund t’ia dalin.

“Drita ka vite që luan në Evropë dhe ka përvojën e duhur për të bërë ndeshje të mëdha. Ndeshjet në garat evropiane janë të vështira. Mirëpo motivi për secilin lojtar është i madh kur luan ndeshje në arenën ndërkombëtare”.

Ai pret që përkrahja nga tifozët mos të mungojë.

“Presim përkrahje të madhe nga tifozët si çdoherë dhe shpresoj që t’i shpërblejmë me fitore”.

Fituesi i duelit ndërmjet Dritës dhe Inter Turkut do të luajë në rrethin e dytë me Royal Antwerpin e Belgjikës.

Drita që do të paraqitet për herë të dytë në Ligën e Konferencës, arritjen më të madhe e pati në edicionin 2020/2021. “Intelektualët” u kualifikuan deri në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës, ku u eliminuan nga Legia e Varshavës. Ndërkohë, në vitin e kaluar, pavarësisht eliminimit nga Feyenoordi në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, paraqitja e Dritës u vlerësua lart.

Drita merr pjesë në Ligën e Konferencës si nënkampione e Kosovës.

Related Articles