Sot ka nisur edicioni i ri i garave në Superligë. Për herë të parë ky kampionat do të luhet me sistemin VAR, projekt të cilin FFK ka arritur ta implementojë në kohë rekorde prej 6 muajsh, duke u bërë një nga federatat e para në rajon që e përdor këtë sistem në kampionat.
E një risi tjetër në Superligë këtë edicion është edhe fakti se në fund të kampionatit pjesëmarrjen në garat evropiane do ta sigurojnë tri vendet e para, si dhe ekipi fitues i Kupës së Kosovës, gjë e cila do ta bëjë këtë kampionat joshës dhe interesant deri në fund.
Qysh në javën e parë nuk kanë munguar befasitë. Skuadra nënkampione, Drita ka arritur të fitojë me përmbysje para tifozëve të vet në duel me Feronikelin, me rezultat 2:1. Skuadra nga Drenasi kaloi në epërsi me golin e Sokol Kiqinës, në minutën e 42-të, por më pas Ardit Tahiri realizoi dy herë, në minutat 77-të dhe 80-të për t’ia siguruar fitoren Dritës.
Ndërkohë, fituesi i Kupës dhe Superkupës, Llapi e ka nisur me barazim si vendas edicionin e ri në duel me skuadrën e ngjitur në Superligë, Ulpianën (1:1). Madje, të parët në epërsi kaluan mysafirët me golin e Argjend Mustafës, në minutën e 83-të, por llapjanët barazuan shifrat në minutat e fundit me golin e Alfer Firminos.
Baras dhe me shifra të njëjta ka përfunduar edhe ndeshja në Skenderaj ndërmjet Drenicës dhe Gjilanit. Këtu të parët në epërsi kaluan vendasit me golin e Jose Denisson Silvës, në minutën e 16-të, derisa një pikë Gjilani e siguroi në saje të autogolit të Lushtakut, në minutat shtesë.
Nesër zhvillohen dy ndeshjet tjera, ku Malisheva e pret Prishtinën, derisa Ballkani luan si vendas ndaj Dukagjinit.