I mbijetuari i Masakrës së Dubravës, Enver Dugolli, ka dërguar dëshmi në Gjykatën Speciale dhe ka bërë kërkesë për hetime tek Prokurori Special i Dhomave të Specializuara, Alex Whiting.
Këtë e bëri të ditur vetë Dugolli, në një konferencë për media, ku tha se me këto fakte, pret nga Whiting që të dëshmojë se Gjykata Speciale nuk është njëetnike dhe e cila i akuzon vetëm shqiptarët.
Tutje, Dugolli tha se Gjykata Speciale duhet të dëshmojë që do t’i gjykojë ata që kanë kryer krime vërtetë përmes masakrave të shumta e vrasjeve masive siç ka ndodhur në majin e vitit 1999 në Burgun e Dubravës.
Në letrën e tij, Dugolli tha se kjo çështje është nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara, duke u përcaktuar në bazë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
“Këto dispozita përshkruajnë çështjen nënligjore, juridiksionin kohor, territorial dhe personal të Dhomave të Specializuara. Krimet e kryera gjatë planit dhe kryerjes së masakrës plotësojnë të gjitha kërkesat juridiksionale”, thuhet në letrën e Dugollit.