Florian Dushi anëtar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve(KQZ) nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka kundërshtuar të gjitha ato që u thanë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), për manipulim të votave në komunën e Dragashit.
Dushi theksoi se kjo që krijuan është “zhurmë pa asnjë bazë”.
“Në mbledhjen e KQZ-së, përfaqësuesit e PDK-së kishin ndërtuar një tregim, nga këndvështrimi i tyre, dhe për “hesape” të tyre politike dhe elektorale lidhur me procesin e votimit nga jashtë për Komunën e Dragashit”, ka shkruar ai në Facebook.
Duke thënë se procesi i zgjedhjeve në këtë komunë ka qenë i ngjashëm si në komunat e tjera.
“Zgjedhjet në Dragash nuk përbëjnë përjashtim, procesi zgjedhor për këtë komunë është i njëjtë, plotësisht i rregullt sikur në gjithë Kosovën”.
Ai tutje ka bërë të ditur se votuesit nga jashtë i janë nënshtruar procesit të paraparë, duke i plotësuar të gjitha procedurat.
“Votuesit nga jashtë i janë nënshtruar procesit të paraparë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës në përputhje të plotë, madje duke iu nënshtruar procesit paraprak të verifikimit nga ana e KQZ-së, me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregullat e KQZ-së”.
Dushi, sqaroi se meqë janë ndjekur të gjitha procedurat në këtë komunë, LDK mbetet fituese.
“Prandaj, kjo e bënë fitoren e LDK-së në këtë Komunë plotësisht të rregullt dhe të ligjshme, ndryshe nga ato çfarë kemi dëgjuar këto ditë për procesin zgjedhor në këtë komunë e që përbëjnë spekulime të sponzoruara partiake, pa asnjë bazë dhe vetëm në një fazë të caktuar të zgjedhjeve lokale, vetëm në raundin e dytë”.
Ndryshe, Kandidati për kryetar të komunës së Dragashit, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaban Shabani, të mërkurën ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me votat me postë në këtë komunë. /Gazeta Enigma/.