Të shtënat me armë në ahengjet në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve. Kështu zgjodhën të festojnë edhe disa persona sot në Gjilan.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur në lagjen Zabel, ku po mbahej një dasmë në oborrin e një shtëpie, ku u dëgjuan të shtënat me armë.
Sipas informacioneve të para, dy të dyshuar kanë gjuajtur me armë në shenjë gëzimi, duke rrezikuar kështu edhe dasmorët.
Posa Policia u njoftua për rastin, ka dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast janë sekuestruar armët e përdorura, ndërsa të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj secilit veç e veç është iniciuar rasti ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.