Dy gjyqtarëve të Gjykatës Themelore në Mitrovicë që i shkuan në takim Vuçiqit iu ulet paga 30 %

Dy gjyqtarëve të Gjykatës Themelore në Mitrovicë që i shkuan në takim Vuçiqit iu ulet paga 30 %

Këshilli Gjyqësor i Kosovës iu ka ulur pagat për 30 përqind,  për një periudhë prej 4 muajshe, dy gjyqtareve të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Tatijana Virijeviq dhe Dragica Jakovljeviq, pasi që të dyja kishin marrë pjesë në takimin e ftuar nga presidenti Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Këtë vendim KGJK e ka marrë më 23 qershor të këtij viti, pasi kishte aprovuar marrëveshjen vullnetare për pranim të fajësisë të lidhur mes dy gjyqtareve dhe panelit hetimor.

Në vendimin e KGJK-së thuhet se dy gjyqtaret kanë kryer shkelje disiplinore me pjesëmarrjen e tyre në takimin me presidentin serb Vuçiq.

“Për panelin hetimor ka qenë e pakontestueshme se subjektet e hetimit me këtë rast Tatijana Virijevic dhe Dragica Jakovljevic, kanë kryer shkelje disiplinore me pjesëmarrjen e tyre në takimin e datës 22.03.2022, me ftesë të presidentit te Republikës së Serbisë”, thuhet në këtë vendim.

Tutje në arsyetimin e vendimit thuhet se prezent kanë qenë edhe përfaqësues të tjerë politik, duke vlerësuar se ky takim ka qenë i natyrës politike, pasi që në atë kohë kanë qenë edhe zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi.

Me rastin e dakordimit për sanksionin disiplinor sipas këtij vendimi thuhet se paneli si rrethanë lehtësuese mori atë se dy gjyqtaret nuk kanë pasur më herët ndonjë masë disiplinore të shqiptuar.

Ndryshe, me 5 maj 2022 është konfirmuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës se këto dy gjyqtare po u hetonin nga Këshilli pasi të njëjtat ishte raportuar se ishin pjesëmarrëse në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë në Beograd.

Për këto dy të fundit, Këshilli, në mbledhjen e mbajtur me datë 20 prill 2022, ka bashkuar procedurën disiplinore për dy kërkesat dhe ka themeluar një panel hetimor.

Gjithashtu, pjesëmarrëse në takim me Vuçiqin ka qenë edhe kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanoviq, për të cilën po ashtu ishte iniciuar procedurë disiplinore dhe e njëjta ishte suspenduar.

Ndryshe, burime të “Betimi për Drejtësi”  kanë treguar se Stevanoviq kishte arritur marrëveshje për pranimin e përgjegjësisë disiplinore me Panelin Hetimor, marrëveshje kjo e cila është aprovuar edhe nga Këshilli.

Ndërsa nuk dihet  se çfarë sanksioni disiplinor i është shqiptuar kryetares Stefanoviq pasi ende nuk është publikuar vendimi për arritjen e kësaj marrëveshje. /BetimipërDrejtësi

Related Articles