Prej dy muajsh fluturimet përmes aeroportit ndërkombëtar të Kukësit janë ndërprerë, raporton Gazeta Enigma.
Dy kompanitë ajrore “Air Albania” dhe “Helvetas” nuk kanë programuar fluturime të tjera dhe sipas drejtorit të aeroportit Altin Progonati, kjo ndërprerje ka të bëjë me rënien e fluksit të fluturimeve apo edhe udhëtarëve për sezonin e dimrit.
Fluturimet pritet të rinisin në fund të muajit shkurt, që sipas drejtorit Progonati, pritet të shtohen me dyfish apo trefish të tyre e po aq edhe shtimi i destinacioneve të tjera, shkruan kohajone.
Në aeroportin e Kukësit punohet cdo ditë me kapacitet të plotë të punonjësve, pasi sipas drejtuesve ka punë të tjera që kane të bëjnë me mirëmbajtjen në aeroport.
Aeroporti i Kukësit nisi operacionet e fluturimeve në datën 9 qershor të këtij viti me dy kompani ajrore, “Helvetas” të Zvicrës dhe “Air Albania” të Shqipërisë me destinacionet Zyrih dhe Stamboll./Gazeta Enigma/