Kryeministri Kurti të martën në Bruksel, publikohet agjenda

Kryeministri Kurti të martën në Bruksel, publikohet agjenda

Kryeministri Albin Kurti të martën do të qëndrojë në Bruksel. Ai do të pritet nga Komisioneri për Zgjerim, Olivér Várhelyi, shkruan Gazeta Enigma.

Kurti do të marrë pjesë në Këshillin e Stabilizim Asociimit BE-Kosovë. Ky takim pritet të zhvillohet nga ora 11:30, sipas agjendës së publikuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian.

Në fund të takimit, rreth orës 14:00, do të mbahet një konferencë për shtyp.

Në delegacionin që e kryeson Kurti, janë përfshirë zëvendëskryeministriat Besnik Bislimi e Donika Gërvalla, si dhe disa nga udhëheqësit e dikastereve.

“Delegacioni i plotë i kabinetit qeveritar të Republikës së Kosovës përbëhet nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja e dytë dhe njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala”, thuhet në komunikatë.

Radio Evropia e Lirë, ndërkohë, ka raportuar se gjatë kësaj vizite Kurti do të takojë zyrtarë të lartë evropianë, përfshirë shefin e diplomacisë, Josep Borrell.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se Kosova dhe Shqipëria nuk kanë gatishmëri për t’u takuar në kuadër të dialogut.

“E kemi bërë shumë të qartë, pas dy takimeve këtë vit, që parakusht për takimin e radhës duhet të jetë gatishmëria e të dyja palëve që të dakordohen rreth rezultateve konkrete për të mirën e qytetarëve të tyre. Kontaktet e fundit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri (Josep Borrell) dhe diplomacia e Përfaqësuesit të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak treguan që aktualisht nuk ka gatishmëri”, tha Stano.

Related Articles