Dy persona me “filikaqa” ndërpresin konferencën e Trendafilovës: Turp, Specialja është gjykatë e padrejtë

Dy persona me “filikaqa” ndërpresin konferencën e Trendafilovës: Turp, Specialja është gjykatë e padrejtë

Dy persona me “filikaqa” kanë ndërprerë për disa minuta fjalimin e Kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

Njëri prej tyre tha se nuk mund ta lejojmë të kaloj në qetësi fjalimi i gjykatëses Trendafilova.

“Kjo është përfaqësuese e një gjykate të padrejtë. Kjo gjykatë po dëshiron ta ndryshojë historikun e luftës së UÇK-së. Gjykatësja ka ardhur të raportoj që të rilegjitmohet kjo gjykatë… krimet kanë ndodhur nga agresori pra nga Serbia dhe nuk mund ta lejojmë që në qetësi e në heshtje të raportohet….”, u shpreh ai.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova u shpreh pastaj se i vie keq që nuk e kuptoi se çfarë tha djaloshi.

“Më vjen keq që nuk flas gjuhën shqipe, dhe nuk e kuptova çfarë tha ky djalosh. Besoj që deshi të bëjë sa pyetje dhe si duket bëri një deklaratë”, tha Trendafilova. 

Pas kësaj, Trendefilova kërkoi që djaloshat që u larguan nga salla, të kthehen përsëri në rast se kanë ndonjë gjë për të thënë.

“Ky djaloshi është i mirëpritur të kthehet dhe të bëjë pyetje, unë me shumë kënaqësi do t’i përgjigjesha”.

Ndërsa, edhe disa qytetarë kanë dalë në protestë para konferencës për media të kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova. Para vendit ku do të mbahet konferenca, ata kanë dalë me parulla kundër Gjykatës Speciale.

Letrat që ata mbanin kishin pesë pika. E para theksonte se s’ka krime njëetnike dhe s’mund të ketë gjykatë për gjykimin e vetëm një etnie.

Në pikën e dytë është kërkuar të zbulohen të gjitha krimet dhe të mos mbrohen krimet e kryera nga Serbia.

Bashkëpunimi me institucionet e Kosovës dhe jo vetëm të Serbisë, është pika e tretë, ndërsa në të katërtën ata kanë thënë se ndjekja selektive e krimeve s’është drejtësi për viktimat.

“Turp, turp, turp të mbrohet gjenocidi i kryer nga Serbia”, thuhet në pikën e pestë.

Related Articles