Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se dy vdekjet e regjistruara në 24 orët e fundit në Deçan s’kanë lidhje me helmimet e fundit që kanë ndodhur në këtë rajon.
Ai ka vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, derisa ka shtuar se bashkë me kryetarin e komunës, Bashkim Ramosaj dhe drejtorin e Drejtorisë për Shëndetësi kanë hartuar një listë barnash që do të trajtohet me prioritet.
“Raportet e para që i kemi marrë të dielën kanë qenë shqetësuese. Pa asnjë rast fatal deri më tani, dy rastet e vdekjes që i referoheni s’kanë të bëjnë me rastet që po flasim”, ka thënë Vitia.
Për media është deklaruar edhe Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani.
Ai ka thënë se asnjë pistë e hetimeve nuk çon që helmimi ka ndodhur nga uji.
“Megjithatë kjo s’do të thotë që s’mund të ketë infeksione hidrike, por do të dalim me analiza përmanente, nga analizat e pacientëve. Pistat e hetimit që flasin për dyshime të infeksionit hidrik janë në hetim e sipër. Kualiteti i ujit po monitorohet”, ka thënë Ramadani.