Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka bërë të ditur se rreth 114 qytetarë dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm në këtë komunë.
Në një përgjigje për Gazetën Enigma ka theksuar simptomat me të cilat janë paraqitur banorët.
“Që nga dita e djeshme kane filluar te vijnë të dyshuar nga helmimi në QKMF të marrin ndihmën e parë për shkak të simptomave të vjelljes, të barkqitjes dhe temperaturës e që thonë se ky është helmim. Helmimi dyshohet se mund të ketë ardhur nga uji, megjithatë nuk ka ende ndonjë analizë se nga saktësisht vjen ky helmim”, ka thënë ai.
Ndërkaq, ka thënë se për rastin është njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, zyrtarët e të cilit sipas tij, ende nuk i kanë marrë mostrat për të bërë analiza.
“IKSHPK-ja është i njoftuar, janë rrugës për të marrë mostrat në fshatin Gorancë për të bërë analizat dhe për të parë se çka në fakt është duke ndodhur. Deri para rreth një ore diku rreth 100 persona kanë kërkuar ndihmë, vinë herë pas here persona por jo në mënyrë masive, ka rënë numri siç ka qenë nga dita e djeshme në orët e vona të mbrëmjes”.
Ndryshe, më 7 korrik, edhe në komunën e Kaçanikut është dyshuar për helmim nga uji i pijes.