Ish-zyrtari i Komunës së Dragashit, Avni Nebiu të enjten , është dënuar me 1 vit burgim me kusht për akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Nebiu u gjet fajtor se ka nënshkruar servisimin e automjeteve zyrtare tek djali i drejtorit të Financave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit kishte pasur kontratë me një operator tjetër ekonomik, për të njëjtën shërbim.
Të enjten, Gjykata Themelore e Prizrenit, Nebiut i shqiptoi 1 vit burgim me kusht, nëse brenda afatit ligjor prej 2 viteve nuk kryen vepër të re penale.
Sipas Prokurorisë, Avni Nebiu akuzohet se i ka tejkaluar kompetencat e detyrës zyrtare me qëllim të përfitimit në dobi të servisit “Menti”.
Nebiu tashmë në pension, sipas aktakuzës ka nënshkruar urdhër-pagesat e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin ”Menti” në bazë të faturave, edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit kishte pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML”.
Dëmi pas precizimit të akuzës llogaritet të jetë në vlerë prej 829 euro.
Bashkë me Avni Nebiun, në këtë çështje kanë qenë edhe dy zyrtarë të tjerë të kësaj Komune, të cilët pas pranimit të fajësisë janë dënuar me kusht.
Ahmet Bahtijari akuzohej se gjatë periudhës 2014 e deri më 2017, në cilësinë e drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, nuk i kishte përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i tij, Armend Bahtijari.
Ahmet Bahtijari, dyshohet se i kishte mundësuar lidhjen e marrëveshjes me Kuvendin Komunal të Dragashit për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale, parcelën në sipërfaqe prej 122 m2, dhe e nënshkruan urdhër-pagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit ka pasur kontratë me operatorin ekonomik për servisim “LML”, për rregullimin e automjeteve.
Tutje thuhet, se me këtë i mundësoi djalit të tij dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3 mijë e 69 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1 mijë e 532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, i cili ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.
Ndërkaq, të pandehurit Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, akuzoheshin se kishin nënshkruar urdhër-pagesat e servisimit të automjeteve zyrtare, në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML” për rregullimin e automjeteve.
Ahmet Bahtijari dhe Salajdin Vehapi më 9 dhjetor 2021 janë dënuar me nga dy vite burgim me kusht.