Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se po e përmbyllim vitin 2022 me 850 ushtarë dhe kadetë të rinj, 84 për qind më shumë investime në pajisje ushtarake, dhe me mbi dy mijë e 500 ushtarë të trajnuar jashtë vendit vetëm gjatë këtij viti.
Mehaj, përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se e ardhmja e FSK-së është në NATO, ngase sipas tij në përputhje të plotë me misionin e kësaj aleance janë edhe qëllimet e FSK-së.
Postimi i plotë i Mehajt:
“Viti 2022, vit suksesesh për Forcën e Republikës sonë!
Po përmbyllim vitin me 850 ushtarë dhe kadetë të rinj, 84% më shumë investime në pajisje ushtarake, dhe me mbi 2500 ushtarë të trajnuar jashtë vendit vetëm gjatë këtij viti.
Ushtria e Republikës së Kosovës më nuk ka kufizim në numër përsa i përket ngritjes së kapaciteteve ushtarake, dhe të gjithë të rinjtë e të rejat ndërmjet moshës 18-25 vjeç mund t’i bashkohen Forcës që është në shërbim të atdheut.
E ardhmja e ushtrisë sonë është në NATO, ngase në përputhje të plotë me misionin e kësaj aleance janë edhe qëllimet tona.
Përkrah ushtrive të shteteve mike do të vazhdojmë rrugëtimin tonë për konsolidim, ngritje të kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së, në funksion të misionit kushtetues për garantimin e sigurisë, territorialitetit, mbrojtjes së qytetarëve dhe ruajtjes së stabilitetit të shtetit.
Urime ushtarakë për çdo rezultat që keni treguar në garat dhe ushtrimet ndërkombëtare, për profesionalizmin mbresëlënës dhe për karakterin luftarak e human të pashoq.
Ju jeni krenaria jonë më e madhe!”, ka shkruar Mehaj.