Kosova ka filluar procedurat për të ndjekur rrugët ligjore ne lidhje me një shkrim dëmtues që një reviste franceze ka publikuar ndaj Kosovës.
Revista franceze “Le Petit”, ka paraqitur Kosovën si vendi i lindjes së manastireve ortodokse në një prej artikujve të saj.
Për këtë shkrim kishin reaguar deputetët e PDK-së Abelard Tahiri dhe Blerta Deliu-Kodra.
Deliu Kodra gjatë fjalës së saj në seancën e Kuvendit të Kosovës, tha se ky shkrim është sponsorizuar nga Qeveria e Kosovës, respektivisht nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Deliu Kodra u shpreh se ky është një skandal dhe duhet të ketë reagim të menjëhershëm nga institucionet e vendit për heqjen e këtij artikulli i cili ende figuron në web faqen e revistës.
“Nuk mund të heshtim karshi këtij skandali, duke promovuar doktrinën serbe”, ka shtuar deputetja e PDK-së.
Ndërsa ka ardhur edhe reagimi i ministres së Tregtisë dhe Industrisë Rozeta Hajdari.
“Ashtu siç kemi deklaruar se do të ndjekim rrugët ligjore lidhur me publikimin dëmtues të Shtëpisë Botuese “Petit Fute” ndaj Republikës së Kosovës, ndjej obligim moral të ju njoftoj se sot kemi përcjellë kërkesën me të gjitha provat për inicim të padisë, te Avokatura Shtetërore, si organ kompetent për përfaqësimin dhe mbrojtjen e Republikës së Kosovës në procedurat gjyqësore, të arbitrazhit dhe administrative”.
“Inicimi i padisë kundër Shtëpisë Botuese “Petit Fute” është bërë për arsye se e njëjta ka kryer veprime të kundërligjshme dhe të dëmshme për imazhin e Republikës së Kosovës, duke shkelur marrëveshjen e lidhur me Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve-KIESA duke mos publikuar materialin promovues të turizmit të dërguar nga KIESA, por ka publikuar një material që është kundërshtuar në vazhdimësi dhe ka bërë publikimin pa pasur miratim nga KIESA”.
“Po ashtu, “Petit Fute” nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për largimin e shkrimit të artikullit në faqet 94 dhe 95 të katalogut të tyre, përkundër kërkesës dhe paralajmërimit nga KIESA-MINT”, ka shkruar tutje Hajdari.
Ajo thotë se historia e Republikës së Kosovës është e qartë dhe atë nuk mund ta ndryshojë askush.
“Ne jemi të përkushtuar që ta mbrojmë të vërtetën e historisë sonë, në mënyrë që ta mbrojmë dhe të ardhmen tonë përpara”, ka shkruar tutje Hajdari.