Me kërkesat si “Duam punësim”, “duam bukë”, rreth 150 protestues po vazhdojnë të qëndrojnë jashtë Minierës së Trepçës, si pakënaqësi ndaj zhvillimit të konkursit për punësim në këtë minierë të mbajtur vitin e kaluar, raporton Gazeta “Enigma”.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani për Gazetën “Enigma”, të martën ka deklaruar se “Qytetarët vazhdojnë të qëndrojnë jashtë minierës. Gjithmonë numri po ndryshon, por kërkesat e tyre vazhdojnë. Sipas informatave që i morëm, lënda e tyre është në gjykatë, por nuk kemi edhe shumë informacione. Ata gjenden para hyrjes së minierës”, tha ai.
Ata po shpresojnë se mund të punësohen sepse ato pozita ende nuk janë plotësuar. Osmani ka thënë se si sindikatë përkrahin çfarëdo proteste që bëhet për të kërkuar drejtësi.
Ndërkohë, në testin me shkrim të mbajtur më 2020, Muhamet Hyseni kishte grumbulluar 98 pikë, duke siguruar kështu intervistën dhe mundësinë për një vend pune në minierën e Stantërgut në Trepçë.
Mirëpo, edhe pse ishte renditur i gjashti në listë, Hyseni thotë se vendi i punës nuk iu dha.
“I kam pasur 98 pikë dhe nuk jam pranuar në këtë testin e dytë të 2020-së që është mbajtur. Po e shprehi pakënaqësinë time”, thotë Hyseni për TV Dukagjini.
Përpos tij, fatin e njëjtë thonë që e kanë edhe 153 aplikues të tjerë, të cilët që shtatë ditë po protestojnë para minierës të Trepçës, me kërkesën e vetme për pranimin në punë.
“Kalueshmëria e testit ka qenë 51 pikë. Ka njerëz që kanë 40 pikë e që është në ranglistën e të parëve të pranuarve, për shkak të afërsive që i kanë, ka njerëz që dyshojmë që nuk kanë hyrë hiç në test. Kërkesa jonë është pranimi në punë dhe asgjë më shumë. Jemi të vendosur, kthim mbrapa nuk ka”, thotë Arsim Musa nga këshilli organizativ i protestës./Gazeta Enigma.