Ilir Daja nuk është më trajner i Ballkanit.
Këtë për Kohën e ka konfirmuar Arsim Kabashi, president i klubit suharekas.
Tiranasi Daja ka shkruar histori në futbollin kosovar. Ai e mori drejtimin e Ballkanit në janar të vitit 2022. E ka udhëhequr skuadrën drejt tre titujve të kampionit të Kosovës. Me Dajën në krye, Ballkani ka arritur dy herë në fazën grupore të Ligës së Konferencës dhe madje ka synuar avancimin në fazën nokaut.
Ai vlerësohet shumë meritor për ngritjen e futbollit kosovar në përgjithësi e të Ballkanit në veçanti. Asnjë skuadër tjetër kosovare nuk ka arritur në fazën grupore të kupave evropiane.
Me Dajën, Ballkani ka fituar edhe një Kupë dhe një Superkupë të Kosovës.
Po ashtu Ballkani gjatë periudhës sa Daja ishte në krye ia doli të shes lojtarë të shumtë, ndërsa ka zbuluar edhe shumë të tjerë. Albion Rrahmani, Ermal Krasniqi, Meriton Korenica, Lumbardh Dellova, Qëndrim Zyba, Albin Berisha janë prej lojtarëve që janë rritur ndjeshëm nën drejtimin e Dajës e tashmë janë pjesë e klubeve evropiane.
Lindon Emërllahu, që është reprezentues i Kosovës, vlerësohet tjetër zbulim i Ilir Dajës.
57-vjeçari ka pasur karrierë të suksesshme në Shqipëri, por tek asnjë skuadër nuk e kishte ndikim kaq të madh sa te Ballkani.
Ballkani gjatë verës mbeti pa shumë lojtarë titullarë. Nuk ia doli të paraqitet me sukses në kualifikimet e Ligës së Kampionëve e më pas në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Dhe erdhi koha për ndarje me trajnerin që solli suksese historike.
“Po, trajneri Ilir Daja është përshëndetur me lojtarët”, ka thënë Kabashi për KOHËN, pa dhënë më shumë detaje.
Ballkani të dielën u mposht 3:1 nga Malisheva. Daja e la Ballkanin në vendin e parë në tabelë.